Lidhje


Prokuroria në Hagë: Thaçi dha “udhëzime të detajuara” për të ndryshuar dëshmitë

 

Në seancën gjyqësore në Hagë, prokurori Joshua Hafetz paraqiti fragmente të bisedave të incizuara gjatë takimeve të Hashim Thaçit me vizitorë në paraburgim, duke pretenduar se ish-presidenti i Kosovës ka tentuar të ndikojë mbi dëshmitarë kyç në procesin për krime lufte. Sipas Prokurorisë së Specializuar (ZPS), Thaçi kishte për qëllim të shmangte dëshmi që, sipas tij, përbënin kërcënim për mbrojtjen e tij, duke u përqendruar në dy kategori dëshmitarësh: ish-anëtarë të UÇK-së që mund të flisnin për strukturën dhe rolin e tij drejtues, si dhe viktima që mund ta implikonin drejtpërdrejt.

 

Prokuroria pretendon se, pas nisjes së procesit për krime lufte, Thaçi u angazhua në përpjekje për të penguar dëshmitë që mund ta dëmtonin, pasi në rast shpalljeje fajtor rrezikonte “burgim të gjatë”. Në këtë kuadër, sipas ZPS-së, ai ka dhënë udhëzime të detajuara për mënyrën se si duhej të dëshmonte Rrustem Mustafa – Remi, përmes Fadil Fazliut, i cili e kishte vizituar në paraburgim në korrik 2023. Prokurori tha se vizitat u incizuan me urdhër gjyqësor dhe se gjatë një takimi, Thaçi kishte sqaruar “çfarë duhej të thoshte” dëshmitari, duke e paraqitur dëshminë si vendimtare për fatin e procesit.

 

Sipas akuzës, Fazliu pranoi t’i përcillte këto udhëzime, ndërsa djali i tij kishte kontaktuar dëshmitarin para paraqitjes në Hagë. Po ashtu, Prokuroria pretendoi se Hajredin Kuçi kishte diskutuar me Thaçin për ndikim ndaj dy dëshmitarëve dhe një viktime, ndërsa Isni Kilaj dyshohet se kishte marrë udhëzime për ndryshimin e dëshmisë së një viktime që më herët e kishte implikuar Thaçin në raste keqtrajtimi. Sipas prokurorit, gjatë takimit në Hagë, Thaçi kishte theksuar konkretisht pjesë të dëshmisë paraprake që duhej të ndryshoheshin.

 

Procesi vijon me paraqitjen e provave nga ana e Prokurorisë, ndërsa të akuzuarit i kanë mohuar akuzat për pengim të drejtësisë.

XS
SM
MD
LG