BE pritet të heqë sot të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës
Bashkimi Evropian pritet që sot të heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura para më shumë se dy vite e gjysmë.
Vendimi është marrë nga organet përkatëse të Komisionit Evropian dhe pritet të miratohet edhe nga vendet anëtare në takimin e Grupit Punues për Ballkanin Perëndimor (COWEB), që zhvillohet të hënën në Bruksel.
Heqjen e masave e kishte paralajmëruar më herët presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një takimi me liderët e rajonit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani. Në atë kohë ishte njoftuar se masat do të hiqeshin “në pjesën e hershme të vitit 2026”.
Në fund të vitit të kaluar, Komisioni Evropian kishte zhbllokuar rreth 50% të asistencës financiare, në vlerë prej afro 216 milionë eurosh. Me vendimin e ri pritet të lirohen edhe 205 milionë euro të tjera nga Programet e Paraanëtarësimit dhe nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, duke përmbyllur heqjen e plotë të masave.
Masat ishin vendosur në qershor 2023 si reagim ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës, të cilat BE-ja dhe partnerë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Shqipërisë i cilësuan si “të njëanshme dhe të pakoordinuara”, që rrisnin tensionet në veri të vendit.
Fillimisht, disa shtete anëtare i konsideruan masat si të kufizuara, por më pas u konstatua se ato përfshinin rreth gjysmë miliardi euro fonde të bllokuara nga programet e ndryshme evropiane.
Përveç pezullimit të fondeve, BE-ja kishte kufizuar edhe takimet në nivel të lartë me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, me përjashtim të atyre që lidhen me dialogun dhe çështjet e sigurisë në veri.
Burime nga Komisioni Evropian bëjnë të ditur se mes 11 dhe 13 marsit Kosovën pritet ta vizitojë komisionerja për Zgjerim, Marta Kos. Gjatë 14 muajve të mandatit të saj, ajo nuk e kishte vizituar më parë Kosovën, ndërsa kishte qëndruar në të gjitha vendet e tjera të rajonit. Si arsye ishte përmendur mungesa e një qeverie me legjitimitet të plotë gjatë vitit 2025.
Me vendimin e ri pritet të hiqen jo vetëm masat financiare, por edhe të gjitha kufizimet e tjera politike ndaj Kosovës.