Peleshi Takon Krerët e Kosovës: Koordinim i Ri Politik dhe Euroatlantik
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, më 02.03.2026, ka takuar në Prishtinë krerët e shtetit. Në të tre takimet, u folë për bashkëpunimin mes dy shteteve në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.Fillimisht, në Kuvendin e Kosovës u prit nga homologia e tij, Albulena Haxhiu.“Ky takim, që u zhvillua në një ditë historike si Dita e Besëlidhjes së Lezhës, na dha mundësinë të kujtojmë bashkëpunimin vëllazëror mes dy Republikave tona dhe përkushtimin tonë në shërbim të qytetarëve. Ndamë ide për shkëmbimin e grupeve të deputetëve dhe komisioneve parlamentare, për të përfituar nga përvojat dhe praktikat më të mira mes dy shteteve tona”, ka shkruar ajo.Haxhiu bëri të ditur se gjatë takimit folën për rëndësinë e marrëveshjeve të miratuara në Kuvendet përkatëse, për rolin mbikëqyrës dhe për nevojën për të shtuar marrëveshje të reja që forcojnë bashkëpunimin dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Më pas, Peleshi u drejtua për në Presidencë për një takim me presidenten Vjosa Osmani.“Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është e natyrshme, strategjike dhe e pathyeshme.Uniteti ynë është forcë, koordinimi ynë është garanci, ndërsa vizioni ynë është paqja, stabiliteti dhe e ardhmja e përbashkët euroatlantike. Në kohë sfidash globale, qëndrimi ynë i përbashkët është forca dhe siguria jonë”- ka shkruar Osmani në Facebook.
Krejt në fund, Peleshi zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e koordinimit në politikën e jashtme, si dhe për avancimin e agjendës së integrimit drejt Bashkimit Evropian. “Në këtë datë historike, që shënon bashkimin e princërve shqiptarë në vitin 1444, theksuam rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete me aspirata të përbashkëta kombëtare për rritje ekonomike, forcim të demokracisë dhe integrim euroatlantik”- ka shkruar Kurti në Facebook.Kurti vlerësoi se Kosova dhe Shqipëria mbështesin dhe shtyjnë përpara njëra-tjetrën në proceset zhvillimore dhe integruese, duke i konsideruar arritjet si të përbashkëta dhe duke punuar me përkushtim për të ardhmen evropiane të qytetarëve të të dy vendeve./ Kallxo.com