Lidhje


BE e shqetësuar për krizën në Kosovë – Brukseli reagon pas shpërndarjes së Kuvendit

 

Bashkimi Evropian ka reaguar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke shprehur keqardhje dhe shqetësim për situatën e krijuar pas shpërndarjes së Kuvendit, një vendim që ka thelluar përplasjen politike në vend.

 

Në një reagim zyrtar, BE theksoi se ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe u bëri thirrje institucioneve dhe aktorëve politikë që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe rendin demokratik, duke garantuar stabilitet institucional dhe funksionimin normal të shtetit.

 

Reagimi i Brukselit vjen pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se parlamenti kishte dështuar të përmbushte një nga detyrimet e tij kryesore kushtetuese – zgjedhjen e presidentit të ri.

 

Sipas Osmanit, mosveprimi i deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri kishte çuar vendin në një bllokadë institucionale, duke e bërë të domosdoshme shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

 

Megjithatë, vendimi i saj ka shkaktuar reagime të forta në skenën politike. Disa parti dhe figura politike kanë paralajmëruar se mund ta dërgojnë dekretin në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar atë të diskutueshëm nga pikëpamja juridike.

 

Në të njëjtën kohë, presidentja ka nisur konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, megjithëse disa aktorë politikë kanë refuzuar të marrin pjesë në këto takime.

 

Bashkimi Evropian, në reagimin e tij, theksoi se stabiliteti institucional dhe respektimi i proceseve demokratike janë thelbësore për Kosovën, sidomos në një moment kur vendi synon të avancojë në rrugën e integrimit evropian.

 

Zhvillimet e fundit pritet të përcaktojnë drejtimin e krizës politike në Kosovë, ndërsa vëmendja është përqendruar te vendimet e institucioneve dhe te mundësia që çështja të përfundojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

XS
SM
MD
LG