Lidhje


“Kosova nuk është Serbi!” – Ministri i Mbrojtjes i përgjigjet ashpër Vuçiçit

 

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç gjatë prezantimit të strategjisë “Serbia 2030”, duke thënë se pretendimet se Kosova është pjesë e Serbisë janë vazhdim i një narrative që mohon realitetin dhe mban nën tension rajonin.

 

Ai theksoi se Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe sovran me institucione legjitime të dala nga vullneti demokratik i qytetarëve dhe se ky realitet është i pakthyeshëm.

 

Ministri i Mbrojtjes ngriti shqetësime edhe për planet e Serbisë për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe investimet në armatim, zhvillimin e industrisë së dronëve dhe krijimin e një ushtrie të avancuar digjitale, duke e cilësuar këtë si një proces të vazhdueshëm militarizimi.

 

“Deklaratat e Aleksandar Vuçiç gjatë Prezantimit të Strategjisë “Serbia 2030” se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se “aktualisht në Kosovë nuk ka partner për të folur”, janë vazhdim i një narrative politike që mohon realitetin dhe synon të mbajë nën tension të gjithë regjionin.

 

Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime të dala nga vullneti demokratik i qytetarëve të saj. Ky realitet është i pakthyeshëm dhe nuk mund të ndryshohet përmes deklaratave politike apo strategjive të brendshme të Serbisë.

 

Në të njëjtën kohë, deklarimet e bëra në kuadër të strategjisë “Serbia 2030”, ku paralajmërohen rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake, investime shumë miliardëshe në armatim, zhvillim i industrisë së dronëve dhe krijimi i një ushtrie të avancuar digjitale, dëshmojnë për një proces të vazhdueshëm të militarizimit të Serbisë.

 

Kur këto zhvillime shoqërohen me pretendime të drejpërdrejta territoriale ndaj Kosovës dhe me retorikë që mohon shtetësinë tonë si dhe me projektin hegjemonist “Bota Serbe”, ato krijojnë shqetësime reale për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

 

Kjo është veçanërisht problematike duke pasur parasysh edhe veprimet destabilizuese që kemi parë në vitet e fundit, përfshirë mbështetjen dhe organizimin e strukturave terroriste e paramilitare që kanë kryer akte të dhunshme në territorin e Republikës së Kosovës, siç ishte sulmi agresor dhe terrorist në Banjskë. Këto zhvillime tregojnë qartë se qasja hegjemoniste e qarqeve politike në Serbi shpesh përkthehet me veprime konkrete që rrezikojnë sigurinë rajonale.

 

Po aq paradoksale është deklarata e Vuçiç-it se sot “nuk ka partner për të folur”. Nëse ai mendon se me këtë qeveri demokratike dhe me legjitimitet te fuqishem qytetar nuk mund të flasë, atëherë lind një pyetje e qartë: kë pret ai dhe çfarë pret në të ardhmen?

 

A pret një qeveri në Kosovë që do të ishte më e gatshme të pranojë pretendimet e Serbisë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë? A po ndoshta një qeveri që pranon ndarjen e territorit? Republika e Kosovës është shtet sovran, qytetarët e Kosovës kanë refuzuar një herë e përgjithmonë projektet sabotuese dhe shantazhuese ndaj sovranitetit te vendit dhe ato nuk do te kthehen kurrë më.

 

Republika e Kosovës është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe për dialog të sinqertë për njohje të ndërsjelltë ndërmjet dy shteteve sovrane. Siguria dhe sovraniteti i vendit tonë janë të panegociueshme.

 

Për këtë arsye, Qeveria e Republikës se Kosovës, do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse, të zhvillojë Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve më të larta profesionale dhe të thellojë bashkëpunimin strategjik me partnerët euro-atlantikë.

 

Stabiliteti i qëndrueshëm në rajon mund të ndërtohet vetëm mbi respektin për sovranitetin e shteteve, përgjegjësinë politike dhe pranimin e realitetit që Kosova është shtet i lirë, i pavarur, sovran.”

XS
SM
MD
LG