Lidhje


Qeveria kundër Rashiqit për tokën e Manastirit të Deçanit: “Vendimi u mor vetëm për anëtarësimin në Këshillin e Evropës”

 

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili kishte pohuar se vendimi për bartjen e 24 hektarëve tokë në pronësi të Manastirit të Deçanit u mor pas këmbënguljes së tij personale. Përmes një reagimi publik, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, ka sqaruar se vendimi nuk ka qenë rezultat i ndikimit individual, por lidhej drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

 

Manxhuka theksoi se çështja ishte shpjeguar qartë që në momentin kur u mor vendimi nga ekzekutivi.


“Çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, vendosjes si kusht nga Këshilli i Evropës, përgjatë procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në vitin 2024 është sqaruar qartë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe në konferencën për media pas saj, në kohën kur ishte marrë ai vendim”, deklaroi ai.

 

Sipas Qeverisë, zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit është bërë ekskluzivisht në kontekstin e përpjekjeve për integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.


“Zbatimin e aktgjykimit, tashmë të marrë nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka bërë vetëm në dritën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për asgjë tjetër”, theksoi Manxhuka.

 

Ai rikujtoi gjithashtu se në prill të vitit 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte votuar fuqishëm në favor të Kosovës. Me 131 vota pro dhe 29 kundër, ajo i rekomandoi Komitetit të Ministrave që Kosova të ftohej të bëhej anëtare e plotë e organizatës.

 

Në këtë kontekst, Manxhuka përmendi edhe raportin e raportueses së Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, e cila në mars të vitit 2024 konfirmoi se Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara.


Sipas tij, pas zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, raporti i Bakoyannis konstatonte se vendi kishte plotësuar parakushtet për anëtarësim dhe duhej të ftohej të bëhej anëtar pa kërkesa shtesë.

 

Zëdhënësi i Qeverisë nënvizoi gjithashtu se kërkesa për zbatimin e këtij aktgjykimi kishte ekzistuar prej vitesh. Ai kujtoi se që nga fillimi i mandatit të qeverisë Kurti në mars të vitit 2021, përfaqësues të vendeve të Quint-it dhe vetë ministri Rashiq kishin kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, sipas tij, kjo u realizua vetëm në momentin kur u lidh drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, tre vjet më vonë, në mars të vitit 2024.

 

Në reagimin e tij, Manxhuka hodhi poshtë edhe interpretimin e bërë nga Rashiq për ndikimin e tij në këtë proces, duke thënë se ministri ka ngatërruar çështje të ndryshme.


“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë.

 

Debati për pronësinë e 24 hektarëve tokë rreth Manastirit të Deçanit është një nga çështjet më të ndjeshme politike dhe juridike në Kosovë. Vendimi për regjistrimin e tokës në emër të manastirit buron nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, i cili për vite me radhë nuk ishte zbatuar nga institucionet lokale dhe qendrore. Zbatimi i tij në vitin 2024 u lidh drejtpërdrejt me përpjekjet e Kosovës për të avancuar procesin e integrimit në Këshillin e Evropës.

XS
SM
MD
LG