Lidhje


LVV e çon Osmanin në Kushtetuese – Haxhiu: Pres masë nga Gjykata për vijimin e punës së Kuvendit

 

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Kushtetuese ankesën lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, bëjnë të ditur nga Zyra për media e kësaj partie për KosovaPress.

 

Osmani shpërndau Kuvendin në një konferencë për media të premten, ku nuk pranoi pyetje nga gazetarët.

 

Ky veprim i saj nxiti reagime të shumta, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje u konsiderua të jetë akt kundërkushtetues.



Ndërkaq kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë sot se pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë shpejt masë të parakohshme.

 

“Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt së pari masën e përkohshme sepse pasojat do të jenë të pariparueshme, prandaj le ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese në raport me situatën aktuale”, tha ajo. “Nëse ka dekret për shpërndaje të Kuvendit, Kuvendi nuk mund të vazhdojë punën por nëse ka masë të përkohshme nga Kushtetuesja rrethanat do të ndryshojnë”.

 

Ndërkohë që kryeparlamentarja Albulena Haxhiu më 5 mars ka njoftuar se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit. Ajo ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Kushtetuesja vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit dhe masë pezulluese për afatin kushtetues. Gjithashtu ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së mosprezencës së deputetëve të opozitës në seancën për zgjedhjen e presidentit.

XS
SM
MD
LG