Lidhje


Rama për median turke: Kush kërcënon Kosovën, kërcënon Shqipërinë!

 

Në një intervistë për “Turkiye Today”, duke iu referuar tensioneve rajonale, Edi Rama paralajmëroi se çdo kërcënim ekzistencial ndaj Kosovës do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në Shqipëri. Poashtu, duke folur për reagimet e Beogradit për aleancën ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, tha se frika e Vuçiqit buron nga makthi që ka: Kosova.“Nëse preket Kosova, preket edhe Shqipëria. “Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial” – theksoi Rama.Ai rikonfirmoi mbështetjen e fortë të Shqipërisë për Kosovën dhe tha se pavarësia e saj nuk mund të zhbëhet.“Kosova është e pavarur, është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm” – shtoi më tej.

 

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat për “neo-osmanizëm” ndaj Turqisë dhe pretendimet e Serbisë për aleanca kundër saj, duke përdorur ironi për të kundërshtuar këto narrativa. Ai përmendi rastin e një xhamie të vogël në Shqipëri që është dëmtuar nga përmbytjet dhe që prej rreth tre vitesh pret restaurimin nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), duke thënë se nëse Turqia do të kishte ambicie neo-osmane, ajo xhami do të ishte rregulluar prej kohësh.

 

Rama theksoi gjithashtu paradoksin e akuzave që vijnë nga Beogradi, duke theksuar se Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku. Sipas tij, kjo e bën edhe më të pabazuar pretendimin për një ndikim neo-osman në rajon.

 

Duke iu referuar deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili në vitin 2025 akuzoi Turqinë se “po ëndërron Perandorinë Osmane” dhe se SHBA-të dhe Turqia po armatosin shqiptarët në Kosovë, Rama reagoi edhe ndaj pretendimeve se Shqipëria, Kosova dhe Kroacia po krijojnë një “aleancë ushtarake” kundër Serbisë. Ai i cilësoi këto deklarata si frikëra që burojnë nga pamundësia e Serbisë për të pranuar realitetin e pavarësisë së Kosovës.

 

“Presidenti Vuçiq është një njeri me intuitë të fortë dhe me shumë njohuri, por ai ka makthin e tij: Kosovën. Kur ky makth pushton emocionet e tij, ai arrin të thotë gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim”, tha Rama.

 

Kryeministri shqiptar shtoi se Serbia duhet “ta presë litarin dhe ta lërë të shkojë” Kosovën nëse dëshiron të dalë nga ky makth politik dhe psikologjik. Megjithatë, pavarësisht kritikave, Rama theksoi se Vuçiq mbetet një lider me të cilin mund të bisedohet dhe të ndërtohen marrëdhënie mbi baza pragmatike dhe objektiva të përbashkëta në rajon.

XS
SM
MD
LG