Lidhje


KE-ja konfirmon heqjen e të gjitha masave ndaj Kosovës

 

Bashkimi Europian ka hequr të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ishin vendosur në qershor të vitit 2023. Lajmi u konfirmua nga Komisioni Europian gjatë debatit për Raportin mbi Kosovën në Parlamentin Europian.

 

Përfaqësuesi i Komisionit Europian, Jiri Plecity, bëri të ditur se është liruar e gjithë ndihma financiare që më parë ishte e bllokuar nga këto masa.

 

“Konfirmoj se Komisioni Europian ka zhbllokuar të gjithë mbështetjen financiare dhe po planifikojmë një riangazhim të plotë me institucionet e Kosovës, për ta rikthyer vendin në rrugën e duhur drejt integrimit europian,” deklaroi ai, sipas Radio Evropa e Lirë.

 

Megjithatë, gjatë diskutimeve në Parlamentin Europian u shpreh shqetësim për një “vit të humbur” për Kosovën, si pasojë e krizës politike që e shoqëroi vendin gjatë vitit 2025.

 

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Riho Terras, theksoi se ngërçi politik ka ndikuar negativisht në procesin e reformave.

 

“Pasiguria dhe bllokimi politik kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat që BE-ja pret nga vendet aspirante. Madje, në disa fusha Kosova ka shënuar edhe regres gjatë vitit të kaluar,” u shpreh ai.

 

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian ka vlerësuar edhe hapat e fundit institucionalë në Kosovë, përfshirë zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, që kanë hyrë në fuqi më 16 mars 2026.

 

Ligji për të Huajt parashikon që shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë duhet të pajisen me leje qëndrimi dhe të deklarojnë adresën e tyre, ndërsa Ligji për Automjete ndalon drejtimin e mjeteve me targa të huaja nga qytetarët e Kosovës, edhe në rast autorizimi.

 

Në kuadër të dialogut me Serbinë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe të njohë dokumentet e identifikimit për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk disponojnë dokumente kosovare.

 

Ky vendim erdhi pas takimit të 14 marsit 2026 në Prishtinë mes kryeministrit Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

 

Sorensen bëri të ditur se palët janë dakordësuar për masa shtesë, përfshirë dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për një periudhë 12-mujore për punonjësit në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe për studentët serbë.

 

Ai theksoi se qëllimi kryesor është garantimi i vazhdimësisë së shërbimeve publike dhe shmangia e çdo ndërprerjeje në sektorë jetikë.

 

“Është thelbësore që të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Për këtë arsye, kemi kërkuar që të pranohen si dokument identifikimi edhe letërnjoftimet e lëshuara nga Serbia deri më 15 mars 2026 për qytetarët që jetojnë në Kosovë,” deklaroi Sorensen.

 

Ai shtoi se paralelisht, autoritetet kosovare duhet të vijojnë regjistrimin e këtyre individëve në regjistrin civil.

 

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës u vendosën në vitin 2023, pas tensioneve në veri të vendit lidhur me vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe.

 

Heqja e tyre erdhi gradualisht, duke kulmuar në fund të vitit 2025, pas stabilizimit të situatës në veri dhe betimit të kryetarëve serbë në katër komunat veriore.

 

Presidentja Vjosa Osmani e konfirmoi vendimin në dhjetor 2025, gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel.

 

“Kemi lajme të mira. Pas diskutimeve intensive me partnerët tanë, u vendos heqja e të gjitha masave. Një pjesë hyn në fuqi menjëherë, ndërsa pjesa tjetër në fund të janarit,” deklaroi ajo.

XS
SM
MD
LG