Lidhje


SHBA dhe BE bashkojnë forcat për dialogun Kosovë–Serbi – Sorensen takon Hanrahan në DASH

 

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit me zyrtarin e lartë amerikan Brendan Hanrahan, ku është diskutuar për hapat e ardhshëm të procesit të dialogut.

 

Sipas Sorensen, në këtë takim është arritur një harmonizim mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për vijimin e dialogut, duke u fokusuar te arritjet e fundit dhe koordinimi për fazat e ardhshme. Ai e cilësoi takimin si “shumë të mirë” dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik për këtë proces.

 

Ky zhvillim vjen pas një sërë lëvizjesh në terren në Kosovë. Një javë më parë, Sorensen u takua me kryeministrin Albin Kurti, pikërisht në prag të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, që prekin drejtpërdrejt komunitetin serb në Kosovë.

 

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë lehtësira të përkohshme për qytetarët serbë, duke përfshirë leje qëndrimi dhe njohjen e dokumenteve ekzistuese, si dhe një periudhë 12-mujore tranzitore për sektorë kyç si arsimi dhe shëndetësia. Këto masa synojnë të shmangin ndërprerjen e shërbimeve bazike për komunitetin lokal.

 

Vendimi është mirëpritur nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilët kanë theksuar rëndësinë e konsultimit me komunitetin serb dhe gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të dyja palët.

 

Ndërkohë, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ka bërë të ditur se është krijuar një momentum i ri për avancimin e dialogut dhe se një takim i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndërmjetësohet së shpejti.

 

Dialogu mes Kosovo dhe Serbia ka mbetur i bllokuar në nivel të lartë që prej vitit 2023, ndërsa zhvillimet e fundit sinjalizojnë përpjekje të reja ndërkombëtare për ta rikthyer procesin në tryezë.

 

XS
SM
MD
LG