Ambasadori Orav: Marrëveshja me Kurtin për "Ligjin për të Huajt", frymëzim për vendet e BE-së!
Marrëveshja e arritur për zbatimin e Ligjit për të Huajt në Kosovë mund të shërbejë si model për vendet e Bashkimit Evropian në trajtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Kështu është shprehur Aivo Orav, ambasador i BE-së në Kosovë, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap me peshë përtej dimensionit të brendshëm ligjor.
Sipas tij, mënyra se si institucionet e Kosovës kanë menaxhuar një çështje të ndjeshme si ajo e komunitetit serb – përmes lehtësirave të përkohshme dhe një periudhe tranzitore – tregon një qasje pragmatike dhe të balancuar mes sundimit të ligjit dhe stabilitetit në terren.
Ai shprehet se këto masa, që përfshijnë njohjen e dokumenteve ekzistuese dhe dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit, janë ndërmarrë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Ky zhvillim vlerësohet si një sinjal pozitiv për Brukselin, duke reflektuar gatishmërinë e Kosovës për të zbatuar standardet evropiane dhe për të trajtuar çështjet komplekse përmes dialogut dhe kompromisit.
Në këtë kontekst, marrëveshja për Ligjin për të Huajt shihet jo vetëm si një zgjidhje praktike për situatën në terren, por edhe si një argument shtesë që mund të ndikojë në mënyrën se si vendet e BE-së e vlerësojnë kërkesën e Kosovës për anëtarësim.