Macron pret Kurtin në Paris: Siguria, dialogu me Serbinë - Vijnë pretendimet e Vuçiç për “kërkesa sekrete”
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u prit më 27 mars 2026 në një takim zyrtar nga presidenti i Francës Emmanuel Macron në Pallatin Élysée në Paris, ku në fokus të bisedës ishin siguria në Kosovë, dialogu me Serbinë, integrimi evropian dhe bashkëpunimi bilateral.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit u theksua roli kyç i NATO-s dhe veçanërisht i KFOR-it në garantimin e stabilitetit në Kosovë, si dhe rëndësia e misioneve të Bashkimit Evropian në vend. Kurti nënvizoi se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke prezantuar progresin në reformat shtetërore, ku vendi ka avancuar në 35 nga 38 fusha, sipas raportit të fundit të BE-së, duke e renditur ndër vendet më të suksesshme në rajon.
Në këtë kontekst, Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai theksoi se siguria e Kosovës lidhet para së gjithash me sigurinë e kufijve të saj, por edhe me ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse vendore, bashkëpunimin me aleatët veri-atlantikë dhe stabilitetin rajonal në Ballkan.
Diskutimet përfshinë gjithashtu zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin në arsim dhe organizimin e forumeve të përbashkëta të biznesit Kosovë–Francë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Lojërave Mesdhetare 2030, që do të mbahen në Kosovë, si një mundësi për thellimin e bashkëpunimit bilateral. Në takim morën pjesë edhe ministri francez për Europën Benjamin Haddad, ambasadori i Kosovës në Francë Mehdi Halimi dhe konsulli i përgjithshëm në Strasburg Lulzim Hiseni.
Takimi u përmbyll me konfirmimin e përkushtimit të ndërsjellë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes Kosovës dhe Francës, si në planin bilateral ashtu edhe në atë evropian.
Pretendimet e Vuçiç: “Kërkesa për NATO-n dhe kushtëzim të Serbisë”
Një ditë para takimit, presidenti serb Aleksandar Vučić deklaroi në TV Prva se Kurti do t’i paraqiste Macronit dy kërkesa specifike.
Sipas Vuçiçit, Kurti synon: që forcat e NATO-s të largohen nga zona kufitare, në mënyrë që Kosova të mund të vendosë Forcën e Sigurisë së Kosovës në zonën tokësore të sigurisë dhe që Franca të ushtrojë presion ndaj Serbisë për përdorimin e armëve, duke kërkuar garanci që ato të mos përdoren kundër shqiptarëve.
Vuçiç paralajmëroi se një skenar i tillë do të përbënte “sulm direkt ndaj paqes dhe Serbisë”, duke shtuar se është i bindur që Macron nuk do ta mbështesë një kërkesë të tillë. Ai pretendoi gjithashtu se Beogradi ka informacione nga “njerëz pranë Kurtit” për agjendën e këtij takimi, duke thënë se kryeministri i Kosovës kishte “katër tema dhe dy kërkesa”.
Zyra e Kryeministrit nuk ka komentuar këto pretendime të Vuçiçit, duke iu përmbajtur vetëm agjendës zyrtare të takimit, ku nuk përmenden kërkesa të tilla.