Lidhje


Zgjedhjet në Serbi/ Vuçiç si Rama - Përgjakje të dhunshme, vjedhje votash dhe Milan Radoçiç në terren për presion

 

Zgjedhjet lokale të mbajtura ditën e djeshme në 10 qytete dhe komuna të Serbisë janë shoqëruar me dhunë, tensione të forta dhe akuza serioze për manipulim të procesit zgjedhor, ndërsa opozita dhe vëzhguesit flasin për një proces të deformuar, në kontrast me deklaratat zyrtare të institucioneve.

 

Sipas raportimeve të mediave lokale, dita e votimit u karakterizua nga kaos i hapur në disa qytete si Bor, Bajina Bašta dhe Kula. “Lista paralele, shkopinj, sherre, koka të përgjakura… të gjitha këto u panë gjatë ditës” – shkruan portali serb N1. Në Bajina Bašta, që në orët e para të mëngjesit, u shpuan gomat e gjashtë makinave që i përkisnin misioneve të vëzhgimit, ndërsa më pas situata degjeneroi në dhunë fizike në rrugë.

 

Gjatë ditës, persona të veshur me të zeza u panë duke sulmuar qytetarë dhe gazetarë. Një prej tyre, gazetari i portalit “Zoomer”, Darko Gligorijević, u dhunua teksa tentonte të filmonte. “Teksa po largohesha, një djalë i ri i shëndoshë me të zeza mu afrua dhe tentoi të më rrëmbente telefonin… ai më goditi disa herë në kokë”, deklaroi ai. Në një tjetër video, një person shihet duke dalë nga makina me armë në dorë, ndërsa policia nuk dha sqarime për identitetin e tij. Kryetarja e Parlamentit, Ana Brnabić, doli në mbrojtje të këtyre grupeve duke deklaruar se “kjo është një përpjekje për të mbrojtur demokracinë nga bllokuesit”.

 

Përplasjet më të forta u regjistruan në qytetin Bor, përpara selisë së Partia Progresive Serbe, e lidhur me presidentin Aleksandar Vučić. Një dëshmitar deklaroi për TV Nova: “Sulmuan tre djem që mbështesin listën e studentëve. Ua thyen kokat dhe të gjithë u kthyen në fondin PIO”. Në video dëgjohet edhe një kërcënim i drejtpërdrejtë: “Do të të thyej çdo kockë në trupin tënd…”. Mes të plagosurve ishte edhe gazetari Lazar Dinić, i cili përfundoi në spital me lëndime në kokë, si dhe një vëzhgues zgjedhor.

 

Dhuna nuk kurseu as studentët dhe aktivistët. Në Bor, një grup personash sulmoi një vajzë studente dhe më pas rrëzoi përtokë një student, duke e shqelmuar ndërsa ishte i shtrirë. Studentët kishin tentuar të dokumentonin një makinë që, sipas tyre, mbante lista paralele votuesish. Akuza për manipulim u ngritën edhe në qytete të tjera si Arandjelovac dhe Knjaževac, ku u raportua për përdorimin e skemës së njohur si “treni bullgar”. “Sillnin fletëvotime të bardha… dhe largoheshin me fletëvotimet e plotësuara”, deklaroi një vullnetare. Ajo shtoi se ishte ndjekur nga persona të dyshimtë pasi kishte filmuar automjete me xhama të errët dhe targa të ndryshme.

 

Gazetarët dhe vëzhguesit identifikuan gjithashtu lokale dhe hotele të përdorura si qendra organizimi për strukturat e partisë në pushtet. “A janë këto lista paralele votuesish?” – pyeti gazetari i N1, Mladen Savatović, gjatë një përpjekjeje për të hyrë në një qendër të dyshuar operative.

 

Në një raportim për Euronews Albania, gazetarja Ardita Beluli konfirmoi se zgjedhjet u shoqëruan me “përplasje fizike, kërcënime ndaj votuesve dhe akuza për blerje votash”, ndërsa opozita dhe lëvizja studentore ngritën shqetësime serioze për parregullsi pas mbylljes së votimeve. Sipas saj, rezultatet paraprake favorizojnë Partinë Progresive Serbe të Vuçiç, ndërsa Komisioni Zgjedhor Republikan deklaroi se procesi ishte “i rregullt”, duke krijuar dy narrativa të kundërta mbi zgjedhjet.

 

Ndërkohë, burime të sigurisë të cituara nga KosovaPress pretendojnë se presidenti Aleksandar Vučić ka angazhuar struktura kriminale për të ndikuar në procesin zgjedhor në disa komuna kyçe. Sipas këtyre burimeve, në këtë skemë është përfshirë edhe Milan Radoičić, së bashku me rrjetin e tij, si dhe individë nga të ashtuquajturat “struktura ilegale” dhe “mbrojtja civile”.

 

“Këta persona pritet të përdoren për të deformuar procesin zgjedhor përmes kërcënimeve, blerjes së votës dhe manipulimeve të organizuara”, thuhet në burim.

 

Në total, zgjedhjet e djeshme në Serbi kanë nxjerrë në pah një situatë të tensionuar politike, ku raportimet për dhunë dhe manipulim përplasen drejtpërdrejt me deklaratat zyrtare për një proces të rregullt, ndërsa opozita dhe studentët paralajmërojnë për një krizë serioze të standardeve demokratike në vend.

XS
SM
MD
LG