BBC: Ëndrra e Kosovës në "Fadil Vokrri" - 90 minuta larg Botërorit të Amerikës!
Kombëtarja e Kosovës është vetëm një hap larg një arritjeje historike, pasi sot në mbrëmje do të përballet me Turqinë në ndeshjen vendimtare të “play-off”-it për kualifikimin në Kupën e Botës. Sipas një analize të BBC, një fitore në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do t’i siguronte Kosovës pjesëmarrjen e parë në një Botëror, vetëm 10 vite pas pranimit në FIFA dhe UEFA.
Skuadra e drejtuar nga Franco Foda vjen në këtë ndeshje pas një rruge mbresëlënëse, duke përmbysur pritshmëritë pas një starti të dobët në grup. Pas humbjes 4-0 ndaj Zvicrës, Kosova mbeti e pamposhtur në pesë ndeshje, duke siguruar rezultate të forta ndaj Suedisë dhe Sllovenisë, si dhe duke eliminuar Sllovakinë në gjysmëfinale.
Megjithëse Turqia renditet shumë më lart në klasifikimin botëror dhe konsiderohet favorite, faktori fushë dhe entuziazmi i tifozëve pritet të luajnë rol kyç për Kosovën. Ndeshja pritet të zhvillohet në një atmosferë elektrizuese në Prishtinë, ku interesimi është shumë më i madh se kapaciteti i stadiumit.
Një kualifikim i mundshëm do të kishte jo vetëm rëndësi sportive, por edhe simbolike për Kosovën, duke u konsideruar si një nga momentet më të mëdha në historinë e saj moderne pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë. Për shumë analistë, ky sukses do të kishte jehonë ndërkombëtare dhe do të forconte identitetin dhe imazhin e shtetit në arenën globale.