Përfundon sot mandati i Vjosa Osmanit, detyra e presidentes i kalon kryeparlamentares
Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit i përfundon sot mandati i saj dhe ia dorëzon këtë detyrë kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes sot në orën 16:00, bëri të ditur zyra e presidentes Osmani.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, më 4 prill 2021, me 71 vota “për” zgjodhi presidente të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin.
Osmani u zgjodh pas raundit të tretë të votimit ku votuan 82 deputetë. 71 nga deputetët votuan për Vjosa Osmanin, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa për kandidatin tjetër Nasuf Bejta nuk votoi asnjë deputet.
Para raundit të tretë u zhvillua edhe procedura e dy raundeve, të parit dhe të dytit.
Në raundin e parë, votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani Sadriu votuan 69 deputetë, 12 vota u shpallën të pavlefshme, ndërsa kundërkandidati i Osmanit, Nasuf Bejta nuk mori asnjë votë. Në bazë të këtij rezultati u konstatua se asnjëri nga kandidatët nuk i kishte votat e nevojshme për t’u zgjedhur president, aq sa duhen sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në raundin e dytë votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani votuan 67 deputetë, 11 vota të pavlefshme, ndërsa kandidati Nasuf Bejta mori 4 vota. As pas raundit të dytë, asnjëri nga kandidatët nuk mori vota për t’u zgjedhur president.
Pas publikimit të rezultatit të votave të raundit të tretë, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani bëri betimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e më pas në sallë u intonua himni shtetëror i Republikës së Kosovës.