Lidhje


Greqia blen teknologji izraelite – Çfarë fshihet pas sistemeve raketore PULS?

 

Ministritë e Mbrojtjes të Izraelit dhe Greqisë kanë nënshkruar këtë të hënë në Athinë një nga marrëveshjet më të mëdha të eksportit ushtarak në vitet e fundit.

 

Kontrata, me vlerë rreth 2.3 miliardë shekelë (rreth 650 milionë dollarë), parashikon furnizimin e ushtrisë greke me sistemet e avancuara të lëshimit të raketave të shumfishta, PULS.

 

Kompania izraelite “Elbit Systems” do të jetë kontraktori kryesor, duke i siguruar Greqisë lëshuesit dhe një paketë gjithëpërfshirëse municionesh, që përfshin raketa të telekomanduara me rreze të ndryshme veprimi. Marrëveshja parashikon një implementim prej katër vitesh, i ndjekur nga një periudhë 10-vjeçare për mbështetje dhe mirëmbajtje teknike, sipas Ynet.

 

“Marrëveshja do të zbatohet gjatë një periudhe katërvjeçare, e pasuar nga një periudhë mbështetjeje dhe mirëmbajtjeje 10-vjeçare,” — bëhet e ditur nga burimet zyrtare pas nënshkrimit.

 

Sistemi PULS njihet për shkathtësinë e tij, duke qenë i aftë të lëshojë raketa dhe predha në distanca të ndryshme, një teknologji që tashmë është adoptuar nga disa vende të NATO-s.

 

Një detaj i rëndësishëm i kontratës është përfshirja e industrisë vendase greke, ku disa komponentë do të prodhohen në Greqi për të nxitur prodhimin lokal.

 

“Kjo marrëveshje vjen mes luftës së vazhdueshme mes Izraelit dhe Iranit dhe është pjesë e një rritjeje globale të kërkesës për sistemet e armëve izraelite,” — nënvizojnë ekspertët e mbrojtjes, duke vënë re rritjen e interesit nga vendet evropiane për të forcuar kapacitetet e tyre mbrojtëse.

 

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë krerët e drejtorive të investimeve të mbrojtjes nga të dyja vendet, duke vulosur këtë partneritet afatgjatë strategjik midis Athinës dhe Tel Avivit. Ky hap konsiderohet si një lëvizje kyçe për balancën e fuqive në Mesdheun Lindor.

XS
SM
MD
LG