“Partitë e opozitës po shantazhojnë qytetarët”, eksperti tregon se si zgjidhet kriza politike në Kosovë
Analisti Egon Loli, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, akuzoi partitë në opozitë për krizën politike që po përjeton Kosova, që rrezikon sërish zgjedhje, pasi po dështon që të zgjedhë presidentin. Loli u shpreh se këto parti po u bëjnë shantazh qytetarëve të Kosovës se do t’i çojnë në zgjedhje sa herë votojnë për Kurtin.
“Përgjigja e drejtpërdrejtë lidhet me një detaj teknik, nëse në raundin e tretë të votimit duhet të jetë kuorumi prej 80 deputetësh. Teknikisht nëse nuk është kuorumi prej 80 deputetësh, presidenti kalon edhe me 62 votat e shumicës. Por nëse është i nevojshëm edhe në raundin e tretë, me gjasa Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Po ta zgjeroja panoramën politike, nisur nga ajo që ka ndodhur ditën e sotme, partitë opozitare, pasi ndoqa deklaratën e Lumir Abdixhikut, edhe PDK, Bedri Hamza, i cili ndryshe nga çfarë kishte deklaruar se do të takohej me Kurtin për të folur për presidentin, në fakt nuk u takua, bie në kundërshtim edhe me vetë deklaratën e këshillit drejtues të PDK. Mund të them, këto parti nuk po i bëjnë shantazh LVV, apo qeverisë, mazhorancës, po përpiqet t’i bëjnë shantazh qytetarëve të Kosovës, u thonë sa herë të votoni Albin Kurtin, aq herë ne do t’u çojmë në zgjedhje.
Nëse nuk do të kemi emër deri në datën 23 për Presidentin e Republikës, do të shkohet në zgjedhje. Kjo është situatë që duhet të marrë zgjidhje jo prej partive politike, pasi asnjëra prej tyre nuk merr dot shumicë për të garantuar stabilitetin, por duhet që qytetarët në një rast eventual të shkuarjes në zgjedhje, t’i japin një përgjigje të gjithë elementëve dhe partive që perceptojnë si destabilizues të vazhdueshëm dhe minues të rendit institucional dhe kushtetues të Kosovës. Parti që sa herë kanë në dorë pengojnë proceset e formimit të institucioneve. Ndodhi me kryetarin e Kuvendit, po ndodh tani me Presidentin e Republikës. Duhet që njëra nga këto parti, të cilat po bëhen pengesë, jo për qeverinë, por për Kosovën dhe rendin kushtetues, të mos kapë pragun, duhet t’i japin goditje knock out këtyre partive. Për të rishpërndarë votat dhe për të dhënë mesazh politik”- tha Loli./ TPZ