Marrëveshje apo pazare në Athinë? Edi Rama dhe Qirjakos Mitcotakis premtojnë ‘zgjidhje finale’ mes Shqipërisë dhe Greqisë!
Kryeministri Edi Rama është takuar sot me homologun grek Qirjakos Micotakis gjatë vizitës për marrjen pjesë në forumin ekonomik të ‘Delphi’.
Rama shkruan se të dy qeveritë po punojnë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik.
"Me kryeministrin e Greqisë, Qirjakos Micotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik", shkruan Rama.
Rama thotë se me Micotakis e lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri.
Edhe kryeministri grek gjatë takimit, është shprehur i gatshëm për të zgjidhur çështjet e mbetura mes dy vendeve, si edhe për konsolidimin e miqësisë.
"Është gjithmonë kënaqësi të të mirëpres në Athinë, i dashur Edi, me rastin e pjesëmarrjes tënde në Forumin Ekonomik të Delfit. Është gjithmonë mirë që na jepet mundësia të bëjmë një vlerësim të progresit të rëndësishëm që kemi arritur në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe të mbështetjes sonë të vazhdueshme në rrugën e vështirë që keni ndërmarrë drejt Bashkimit Evropian.
Megjithatë, besoj se kemi ende një mundësi të rëndësishme për të zgjidhur çështjet e mbetura që lidhen me marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të konsoliduar miqësinë e vërtetë mes dy popujve tanë. Prandaj, është një mundësi shumë e mirë të të mirëpres edhe një herë në Athinë, dhe e di që të pëlqen shumë të vish këtu", ka deklaruar Micotakis.