Lidhje


Vëllai i Netanyahut mbërrin fshehurazi në Zagreb – ligjëratë sekrete në fakultet nën masa të forta sigurie!

 

Iddo Netanyahu, vëllai i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ka mbërritur këtë të enjte në Zagreb, ku ka mbajtur një leksion për studentët në Fakultetin e Shkencave Politike.

 

Ai ishte i ftuar si ligjërues nga profesori Boris Havel, në kuadër të lëndës “Hebrenjtë Orientalë dhe Arabët në kohën e Sionizmit”, një kurs që trajton marrëdhëniet mes hebrenjve dhe arabëve në Lindjen e Mesme, nga emigrimi i parë hebre në Palestinë deri në ditët e sotme.

 

Ajo që ka tërhequr vëmendje është fakti se ligjërata nuk ishte njoftuar në faqet zyrtare të fakultetit dhe as në rrjetet sociale, gjë që nuk është praktikë e zakonshme për aktivitete të tilla akademike.

 

Iddo Netanyahu nuk mbërriti vetëm. Ai u shoqërua nga truproja sigurie dhe, pas përfundimit të ligjëratës, u largua me një Mercedes të zi luksoz. Së bashku me të ishte edhe ambasadori izraelit në Kroaci, Gary Koren, raportojnë mediat kroate.

 

Mikpritësi i tij, profesori Boris Havel, ndodhet gjithashtu në qendër të polemikave, pasi ka marrë paralajmërim për largim nga puna pas një incidenti vitin e kaluar lidhur me fyerjen e gazetares Maja Sever.

 

Iddo Netanyahu nuk është një emër i panjohur për rajonin. Vitin e kaluar ai ishte në Banja Luka, ku promovoi romanin e tij “Itamar K.”, por vizita e tij u shoqërua me një moment të sikletshëm.

 

“Jam shumë i lumtur që jam këtu, është hera e parë që vij në shtetin tuaj, në qytetin e Novi Sadit…”, deklaroi ai atëherë, duke shkaktuar konfuzion mes gazetarëve dhe përkthyesve, pasi ndodhej në Bosnje dhe jo në Serbi.

 

Përveçse shkrimtar, Iddo Netanyahu është edhe mjek dhe dramaturg. Gjatë vizitës së tij në Banja Luka, ai foli edhe për kërcënimet globale, duke theksuar atë që e quajti “lufta kundër forcave radikale myslimane”, si sunite ashtu edhe shiite, të cilat sipas tij “po përpiqen të pushtojnë botën”.

XS
SM
MD
LG