“Raportet kundër Kosovës shkruheshin nga Beogradi” – Spiunja serbe e OSBE-së dënohet me 6 vite burg, zbardhen lidhjet me BIA-n
Ish-zyrtarja e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Jelena Gjukanoviq, është dënuar me 6 vite burgim për veprën penale të spiunazhit, pasi sipas drejtësisë kosovare ka përcjellë informacione sensitive te agjenti rezident i Agjencisë së Inteligjencës Serbe (BIA), Aleksandar Vllajiq, të cilat më pas përfundonin te zyrtarët e lartë të shërbimit sekret në Beograd.
Sipas aktakuzës, Gjukanoviq, gjatë kohës sa ushtronte funksionin e saj në misionin e OSBE-së në Kosovë, ka kryer veprime të përsëritura duke ndihmuar strukturat serbe të inteligjencës me informacione të ndjeshme që lidhen me çështje politike dhe të sigurisë në vend.
Prokuroria ka theksuar se ajo kishte komunikim të drejtpërdrejtë me Aleksandar Vllajiq edhe në ditën kur ndodhi sulmi terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut në vitin 2022. Vllajiq, ndërkohë, është dënuar më herët në shkallë të parë për të njëjtën vepër penale.
Por detaje edhe më tronditëse janë publikuar nga dokumente dhe komunikime të siguruara nga Dukagjini, të cilat hedhin dritë mbi mënyrën se si, sipas raportimeve, BIA serbe ka tentuar të manipulojë raportet ndërkombëtare kundër Kosovës përmes rrjeteve të saj brenda OSBE-së.
Sipas këtyre materialeve, Vllajiq i jepte udhëzime të drejtpërdrejta Gjukanoviqit për mënyrën se si duhej të hartoheshin raportet dhe si duhej të ndërtoheshin narrativat për zhvillimet në veri të Kosovës.
Në mesazhet e publikuara përshkruhen orientime të detajuara se si duhej të strukturohej “historia”, duke paraqitur aksionet e Policisë së Kosovës dhe angazhimin e njësive speciale në veri si veprime të koordinuara politikisht dhe me perceptim negativ për faktorin ndërkombëtar.
Në një nga komunikimet e publikuara, Gjukanoviq përshkruan takime dhe koordinime që lidhen me përgatitjen e një raporti për Kosovën brenda OSBE-së, ku përmend edhe atëbotë shefin e misionit, Michael Davenport. Sipas saj, ai ishte duke përgatitur një raport gjithëpërfshirës që do të përfshinte të gjitha “sulmet” e pretenduara ndaj serbëve nga Policia e Kosovës dhe që më pas do të prezantohej në Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë para 57 shteteve anëtare.
Sipas përmbajtjes së mesazheve, Davenport kërkonte të konsultohej edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, para paraqitjes së raportit në Vjenë.
Po ashtu, në komunikimet mes spiunëve serbë sugjerohej që të theksohej se ambasada amerikane në Prishtinë nuk ishte e kënaqur me sjelljen e kryeministrit Albin Kurti, edhe pse vazhdonte ta mbështeste atë në luftën kundër korrupsionit.
“Nuk është e kënaqur me sjelljen e Kurtit”, thuhej në një nga udhëzimet e dërguara në mesazhe.
Materialet përmendin gjithashtu organizata joqeveritare, “biseda të mbyllura” dhe rrjete informimi nga veriu, të cilat sipas këtyre udhëzimeve duhej të shfrytëzoheshin për ndërtimin e narrativave të caktuara kundër institucioneve të Kosovës.
Një tjetër element i ndjeshëm lidhet me pretendimet për përfshirjen e shtetasve britanikë, të cilët sipas mesazheve zhvillonin takime intensive në veri dhe hartonin raporte inteligjence që më pas shërbenin si bazë për operacione policore. Në të njëjtin kontekst përmenden edhe struktura të inteligjencës brenda KFOR-it, përfshirë kontingjente sllovene dhe zvicerane.
Rasti po shihet si një nga goditjet më të forta ndaj rrjeteve të infiltrimit informativ serb në Kosovë dhe si një sinjal i qartë për ndikimin që Beogradi ka tentuar të ushtrojë edhe përmes mekanizmave ndërkombëtarë.