Lidhje


Kurti shpërthen ndaj opozitës: Po bllokojnë shtetin, sillni kandidatin sonte dhe Kosova bëhet me president!

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar ashpër opozitën për sjellje joshtetërore dhe anti-institucionale, duke thënë se PDK, LDK dhe subjektet e tjera opozitare po bllokojnë me vetëdije funksionimin e institucioneve dhe po rrezikojnë rendin kushtetues të vendit.

 

Sipas tij, opozita nuk ka asnjë synim tjetër përveç pengimit të qeverisjes dhe mosnjohjes së rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit, ndërsa bojkotimi i seancave plenare dhe mungesa në procesin për zgjedhjen e presidentit janë dëshmia më e qartë e kësaj qasjeje.

 

“Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër: për ta kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët, përkatësisht përballjen me inflacionin, u mobilizuan të gjithë, përfshirë edhe Listën Serbe, kurse për president nuk po vijnë as në sallë. Kosovës nuk i duhen bllokada si ato të 10 muajve të vitit të shkuar. Me besim të plotë se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, vendit do t’ia humbnim edhe 10 milionë vetëm për organizimin e zgjedhjeve”, deklaroi Kurti në konferencë për media.

 

Ai theksoi se qeveria ka bërë të gjitha përpjekjet për të shmangur zgjedhje të reja dhe të panevojshme, duke ftuar disa herë në takim krerët e opozitës për të arritur një kandidat konsensual për president, por sipas tij, përgjigjja e vetme që ka marrë kanë qenë refuzimet.

 

“U përpoqëm për kandidat konsensual; i ftova disa herë në takim kryetarët e PDK-së dhe LDK-së. Ndonëse nuk ofruan asnjë propozim, unë vazhdimisht kam ofruar ide, por morëm veçse refuzim. Ne propozime, ata refuzime. Filluan të refuzojnë edhe takimet me mua, prandaj ftuam debat parlamentar; as aty nuk erdhën”, tha ai.

 

Kurti përmendi edhe emrin e Feride Rushitit si një figurë që sipas tij më herët është vlerësuar publikisht nga vetë opozita, por sot nuk po mbështetet në Kuvend.

 

“Si është e mundur që, pas gjithë atyre vargjeve vlerësuese, sot nuk e marrin mundin të vijnë në sallë, teksa struken në zyrat e grupeve parlamentare, madje duke dërguar kërcënime për një grua që gjithë jetën ia ka kushtuar mbrojtjes së viktimave”, deklaroi ai.

 

Kryeministri komentoi edhe listën me 15 nënshkrime të paraqitur nga LDK, duke kërkuar që ajo të dorëzohet në mënyrë institucionale dhe të bëhet e qartë se cili është kandidati apo kandidatja që propozohet për president.

 

Ai tha se nëse LDK sjell një emër konkret, ai është i gatshëm të kërkojë tërheqjen e kandidates Hatixhe Hoxha dhe të hyhet menjëherë në garë me kandidaten e propozuar nga LDK dhe Feride Rushitin.

 

“Ne me mirësinë dhe kënaqësinë më të madhe do t’i pranonim. Po ta kishim të qartë emrin e LDK-së për kë, ne do ta takonim kandidaten Hatixhe Hoxhën dhe do t’i kërkonim të tërhiqet. Le të na e sjellin kandidatin, unë i kërkoj Hatixhe Hoxhës të tërhiqet dhe shkojmë në garë, sonte Kosova bëhet me president apo presidente të re, varet kush fiton”, deklaroi Kurti.

 

Ai shtoi se Lumir Abdixhiku nuk i ka sjellë asnjëherë asnjë propozim konkret gjatë takimeve të zhvilluara dhe kritikoi faktin që lista u publikua në media pas mesnate, në vend që të dorëzohej zyrtarisht.

 

“Letra me 15 nënshkrime mund t’i ofrohej LVV-së në mënyrë institucionale. Ata emra duhet të m’i japin mua, jo juve të nderuar gazetarë”, tha Kurti.

 

Ndërkohë, PDK ka mbledhur kryesinë duke paralajmëruar se situata aktuale po rrezikon rendin kushtetues, ndërsa tensionet politike për zgjedhjen e presidentit po e shtyjnë vendin drejt një përplasjeje të re institucionale.

XS
SM
MD
LG