Kosova përparon për 15 vende në lirinë e shtypit
Kosova është ranguar 15 vende më lartë sesa vitin e kaluar në Indeksin Vjetor të Lirisë së Shtypit për vitin 2026, të cilin e ka publikuar të enjten organizata “Reporterët pa Kufij”.
Kosova është ranguar në vendin e 84-t, nga 99 sa ishte vitin e kaluar.
Siç citohet në raport, liria e medias në Kosovë vazhdon të kërcënohet nga rregullimi i politizuar, paditë SLAPP e qasja e pamjaftueshme në informacion publik.
“Edhe pse tregu mediatik në Kosovë është i larmishëm, zhvillimi i tij kufizohet nga madhësia e vogël dhe ndarjet etnike. Liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), qasja e pamjaftueshme në informacion publik dhe rreziqet për sigurinë e gazetarëve”, thuhet në raport.
Pavarësisht këtyre kufizimeve, thotë raporti, Kosova ka një treg mediatik dinamik dhe të shumëllojshëm. Ndër mediumet kryesore përmendet edhe KOHA, si një nga mediat më të njohura dhe më me ndikim në vend.
“Sektori televiziv, megjithëse shumë i përqendruar, dominohet nga kanale private me seli në Prishtinë, ndërsa transmetuesi publik RTK luan një rol të rëndësishëm. Portalet online të lajmeve përfshijnë media të njohura dhe me ndikim si KOHA, BIRN, Kossev dhe Kosovo 2.0, kjo e fundit një nga të paktat që publikon si në shqip ashtu edhe në serbisht”, vijon raporti.
Në vijim, raporti thekson se gazetarët vazhdojnë të jenë objekt i sulmeve politike. Ata e kanë cilësuar rregullatorin e mediave, Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), si joefektiv. Gjithashtu, kanë përmendur edhe ankesat e mediave në gjuhën serbe.
“Para zgjedhjeve të përgjithshme në fillim të vitit 2025, disa media private u përballën me bojkot nga qeveria, e cila gjithashtu vuri në pikëpyetje pavarësinë e RTK-së. Mediat në gjuhën serbe, nën presion nga faktorë politikë serbë, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacion publik, veçanërisht në gjuhën e tyre, që është gjuhë e pakicës kushtetuese”, shton raporti.
Raporti e përmend si pozitiv faktin që sistemi gjyqësor ka filluar t’i trajtojë si prioritare rastet që lidhen me gazetarët.
“Megjithatë, gjithnjë e më shumë gazetarë po përballen me padi SLAPP të iniciuara nga grupe biznesi dhe politikanë. Qasja në informacion publik shpesh pengohet nga zbatimi i dobët i ligjit, ndërsa në praktikë nuk respektohet gjithmonë as ligji për të drejtat e autorit”, thekson raporti i “Reporterëve pa Kufij”.
Për shkak se financohen nga reklamat e sektorit privat, raporti thotë se mediat private shpesh ekspozohen ndaj ndërhyrjeve nga grupe të fuqishme politike apo biznesore.
“Mediat financohen kryesisht nga të ardhurat nga reklamat e sektorit privat, por ndonjëherë mbështeten edhe nga autoritetet komunale ose partitë politike. Përmes pronarëve të tyre, redaksitë private shpesh ekspozohen ndaj ndërhyrjeve nga grupe të fuqishme politike apo biznesore. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfida shtesë për shkak të tregut të vogël; disa prej tyre varen nga financimi nga Serbia, ndërsa mediat e pavarura shpesh mbijetojnë falë mbështetjes ndërkombëtare”.
Në fund, raporti thotë se mediat e pavarura dhe disa gazetarë hulumtues shpesh bëhen objekt i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale. Siç thotë raporti, ata akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”, një retorikë e përdorur nga grupe politike dhe fetare.
Raporti i “Reporterëve pa Kufij” mbulon 180 vende. Nga vendet e rajonit, Shqipëria sivjet ka pësuar rënie. Nga vendi i 80-të, ka rënë në të 83-tin. Më së miri renditet Mali i Zi në vendin e 41-të. Maqedonia e Veriut në të 45-n. Serbia ka shënuar prapë rënie, duke u renditur në pozitën e 104-t.