Kushtoi 260 MLN euro: Shembet sërish Qukës-Qafë Plloçë, paratë e shqiptarëve treten në humnerë
Ajo që supozohej të ishte një nga veprat më të rëndësishme rrugore në vend, është kthyer në një makth të vërtetë dhe një gropë e zezë ku janë gllabëruar plot 260 milionë euro.
Aksi Qukës-Qafë Plloçë, ka pësuar një tjetër shembje masive, këtë herë te Kthesa e Trebinjës, duke nxjerrë zbuluar cilësinë skandaloze të punimeve.
Gjendja në terren është alarmante. Në Lotin 2 të kësaj rruge, shtrati i asfaltit ka pësuar ulje të rënda të nivelit, duke u bërë rrezik serioz për jetën e drejtuesve të mjeteve. Por çudia nuk ndalet këtu: vetëm 500 metra më larg, një tjetër dëmtim i rëndë që prej muajit janar nuk është prekur me dorë, duke u përkeqësuar dita-ditës.
Sot, në këtë aks që ka kushtuar miliona, mjetet detyrohen të kalojnë vetëm në njërën korsi, si në një rrugë fshati të harruar.
Kush fshihet pas këtyre punimeve "prej letre"? Loti i dytë, i cili po çahet dhe po fundoset ende pa u shijuar mirë nga qytetarët, është ndërtuar nga kompania “ALB-BUILDING”, me aksionerë Odhise Breshën dhe Pëllumb Betën. Ashtu si loti i parë i ndërtuar nga kompania “2T” e vëllezërve Sako, edhe ky segment po rezulton një dështim total teknik.
Pyetja që rëndon sot mbi ARRSH dhe Ministrinë e Infrastrukturës është e thjeshtë: Si është e mundur që një rrugë që ka kushtuar 260 milionë euro, shembet sapo bie shiu i parë?
Kalvari i dëmtimeve ka nisur që në ditën e parë të inaugurimit, duke dëshmuar se ose projektimi ka qenë i gabuar, ose materialet janë vjedhur rrugës. Ndërsa kompanitë nisin "arnimet" e radhës, shqiptarët shohin se si taksat e tyre po groposen nën rrëshqitjet e dheut të Trebinjës.