Si do jenë zgjedhjet në Kosovë me Vjosën si rivale, jo partnere të Albinit
A do ti japë fund Vjosa Osmani dominimit të Albin Kurtit në skenën politike të Kosovës? Kjo është pyetja e parë që shtrohet pasi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zyrtarizoi koalicionin me ish presidenten për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Një ditë më parë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se LDK-ja e ka mbështetur propozimin e tij që Osmani të jetë kryesuese e listës zgjedhore dhe kandidatja për presidente. Vetë Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër.
Abdixhiku tha se vendimi është marrë unanimisht në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, duke shtuar se në listën zgjedhore të partisë do të përfshihen edhe 19 emra të tjerë të propozuar nga Osmani, mes të cilëve Jeta Statovci, ish-deputete e Guxo-s dhe ndër më të votuarat në listën e LVV-së në zgjedhjet e fundit si dhe Albena Reshitaj, ish-ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Dilema për peshën që mund të ketë rifutja e Vjosa Osmanit në garën elektorale, nuk lidhet vetëm me funksionin e saj si ish kryetare e shtetit, as me shijen e padrejtësisë që u duk se iu bë asaj, pasi Albin Kurti e dogji pa asnjë shpjegim publik nga mundësia e rikandidimit. Por mbi të gjitha me faktin se dy herët e fundit që ka garuar në zgjedhje ajo ka pasur një peshë të madhe elektorale.
Para rikthimit në shtëpinë e vjetër, Osmani kishte qenë një nga figurat më të votuara të LDK-së.
Në zgjedhjet e vitit 2019, ajo kryesoi listën e LDK duke marrë plot 176 mijë vota personale. Por kur elefantët e partisë së saj i kthyen shpinën elektorarit dhe komplotuan për rrëzimin e qeverisë së parë Kurti, ajo doli kundër këtyre kulisave duke u ndarë me prapaskenat e Isa Mustafës e Avdullah Hotit. Në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani garoi në koalicion me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, (më pas formoi subjektin e saj politik, Lista Guxo) ku mori mbi 300 mijë vota personale.
Pas fitores së zgjedhjeve, si rezultat i kësaj peshe elektorale, ajo u zgjodh presidente e Kosovës e për pasojë nuk garoi në dy sfidat e fundit, as në zgjedhjet e shkurtit, as në ato të dhjetorit 2025. Por sot, kur Vjosa Osmani po rikthehet në fushë, dilema shtrohet: sa nga votat që ajo i transferoi në 2021-shin nga LDK tek VV, do të lëvizin në kahun tjetër së bashku me të?
Këtë dilemë e bën më të fortë edhe formula që ajo ka zgjedhur për të synuar këtë 7 qershor. Osmani mëton të përsërisë me Abdixhikun, të njëjtin binom që krijoi me Kurtin pesë vite më parë: njëri si kandidat për kryeministër dhe tjetra për presidente.
“Kam propozuar garim të përbashkët për president dhe kryeministër. Kam propozuar që LDK-së të garojë me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente të Republikës, dhe njëkohësisht bartëse të listës sonë zgjedhore, dhe me mua, kryetarin e LDK-së, si kandidat për kryeministër”, ka thënë Abdixhiku para forumeve të partisë së tij.
Pikërisht kjo ngjashmëri dhe ky kapërcim kanë shtuar pikpyetjet për rezultatin që do të prodhojë gara e pas një muaji në zgjedhjet në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Kurti, synon një mandat të ri pas fitores së LVV-së në dy palë zgjedhjet e vitit 2025, fillimisht në shkurt dhe më pas në ato të jashtëzakonshme të dhjetorit.
Herën e fundit, partia e tij mori mbi 51 për qind të votave dhe Kurti doli sërish si politikani më i votuar.
Gjatë një fjalimi të fundit, Kurti tha se, në zgjedhjet e 7 qershorit, synon të fitojë 60 për qind të votave, për të shmangur krizat e ardhshme dhe bĺlokimet e vazhdueshme të opozitës.
Po a do të jetë kjo e mundur me Vjosa Osmanin përballë dhe jo më përkrah tij? E gjithë enigma qëndron tek ai hambar mes 170 mijë deri në 300 mije votave personale që ish presidentja ka marrë në vitet 2019 – 2021. Nëse Osmani arrin të mbetet në ato kuota, ky do të shënonte dhe fundin e mbretërimit të Vetëvendosjes mbi Kosovën.