Lidhje


Bashkia u zapton hapësirën ku shesin - Tregtarët e Vlorës protestojnë dhe kërkojnë lirimin e saj

 

Tregtarët e tregut të madh të qytetit, të fruta-perimeve dhe konfeksioneve, janë ngritur në protestë përpara Bashkisë së Vlorës. Ata po protestojnë kundër mbylljes së tregut në qendër të qytetit. Ky treg do të rehabilitohet si pjesë e një projekti për rehabilitimin e zonës në qendër të Vlorës, pranë Sahatit.

 

Në fjalën e tyre, ata thonë se nuk janë kundër rehabilitimit të tregut, por tregojnë se nuk u është dhënë zgjidhje. Janë dakord që tregu të rehabilitohet, por kërkojnë një vend të përcaktuar për të ushtruar aktivitetin e tyre.

 

“Për bukën e gojës së fëmijëve po protestojmë. Kemi fëmijët nëpër shkolla, me çfarë do i paguajmë. Dyqanet i kemi me qira. Na thanë do rrini nëpër dyqane dhe s’po na lënë. S’po na lënë të shikojmë mallin. Madje kemi me miliona mall. Nuk e dimë ça të bëjmë. Duam të punojmë, të na gjejnë vendin. Këta nuk po na gjejnë vendin, po na hedhin në rrugë”,- thotë një tregtar.

 

“Janë 350 tregtarë që i lë pa bukë. Kërkojmë një zgjidhje, të na bëjë treg tjetër. Na ka hedhur në rrugë, kemi miliona lekë mall. Jemi dakord qyteti të zhvillohet por të na bëjë treg tjetër, të shesim mallin. Sepse kemi miliona lekë mall dhe me atë mall ushqejmë fëmijët”,- thotë një tjetër.

 

Ata shprehen se u janë propozuar vende shumë të largëta, ku nuk ka asnjë klient. Gjithashtu, deklarojnë se do ta vazhdojnë protestën, pasi kanë marrë mall dhe u ka mbetur stok.

 

Ndërkohë, kërkojnë një zgjidhje dhe takim me kryebashkiaken Brunilda Mersini. Tregtarët paralajmërojnë se do të bllokojnë rrugën nëse nuk do të kenë një takim.

XS
SM
MD
LG