Lidhje


Italia nuk tërhiqet nga Gjadri: Piantedosi në Tiranë konfirmon vijimin e protokollit Rama-Meloni

 

Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, gjatë një takimi në Tiranë me homologun e tij, Besfort Lamallari, thotë se kanë disktuar edhe për protokollin “Rama-Meloni” për ngritjen e qendrës së pritjes së emigrantëve në Gjadër.

 

“Së bashku diskutuam mbi bashkëpunimin shumë të mirë mes vendeve tona për çështje të ndryshme të bashkëpunimit policor dhe luftës kundër emigracionit të paligjshëm. Më pas u ndalëm veçanërisht te zhvillimet e ardhshme të Protokollit Itali–Shqipëri, edhe në kuadër të hyrjes në fuqi të rregulloreve të reja europiane për migracionin dhe azilin, duke ndarë bindjen për të vijuar bashkëpunimin e nisur, i cili ka përbërë një model inovativ të vlerësuar nga vendet kryesore europiane dhe që përfaqëson një element dallues të miqësisë mes dy vendeve tona”, shkruan ministri italian Matteo Piantedosi.

 

Më tej ai thotë se Italia do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive Shqipërinë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

 

“Miqësia mes vendeve tona ka rrënjë të thella dhe është forcuar falë një dialogu të vazhdueshëm, i cili vitet e fundit është intensifikuar më tej edhe nga mirëkuptimi mes kryeministrave tanë”, përfundon Ministri i Brendshëm i Italisë.

 

Kujtojmë që Italia pret një konfirmim final nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut sa i përket protokollit “Rama- Meloni”. Opozita në Romë, drejtësia dhe shoqëria civile e kanë kundërshtuar masivisht këtë marrëveshje. Ndërkohë që në Gjadër qendra pritëse e emigrantëve tashmë është ngritur.

XS
SM
MD
LG