Gylenisti i arrestuar në Rinas për akte terroriste, në burg pa afat
Shtetasi turk Ibrahim Karaoğlu, i arrestuar pak ditë më parë në Aeroportin e Rinasit, ka dalë më 4 maj para Gjykatës së Tiranës, ku është lënë në masën “arrest në burg”. Karaoğlu kërkohet nga autoritetet turke për akuza të rënda që lidhen me terrorizmin, përfshirë dyshimet për pjesëmarrje në tentativën e grushtit të shtetit në Turqi në vitin 2016.
67-vjeçari u ndalua në Rinas gjatë tentativës për të hyrë në Shqipëri, pas verifikimeve të kryera nga strukturat antiterror dhe Policia Kufitare. Autoritetet turke e kërkojnë atë për “tentativë për rrëzimin e rendit kushtetues” dhe “anëtarësim në organizatë të armatosur terroriste”, akuza që lidhen me rrjetin e Fethullah Gülen, të cilin Ankaraja e cilëson si organizatë terroriste.
Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për ta lënë në burg, ndaj Ibrahim Karaoğlu pritet të vijojë procedura e ekstradimit drejt Turqisë. Dosja e tij lidhet me hetimet e hapura pas ngjarjeve të korrikut 2016, kur autoritetet turke nisën një goditje të gjerë ndaj personave të dyshuar si pjesë e strukturave gyleniste dhe të përfshirë në tentativën për rrëzimin e qeverisë.