Kathimerini: Shqipëria portë e re për gazin amerikan - SHBA “pushton” energjinë e Ballkanit
Ballkani Perëndimor po kthehet në një front të ri gjeopolitik mes SHBA-së dhe BE-së, teksa Uashingtoni po përshpejton planet për të zëvendësuar gazin rus në Evropën Qendrore dhe Juglindore me LNG amerikan.
Sipas medias greke Kathimerini, administrata Trump po përdor investimet në energji si instrument strategjik, duke hyrë fuqishëm në një rajon me varësi të lartë nga gazi rus, infrastrukturë të dobët dhe rrjete të fragmentuara.
Një nga projektet më të mëdha është tubacioni 1.5 miliardë euro që do të çojë LNG amerikan nga terminali kroat i Krk drejt Bosnjës, projekt që ka shkaktuar tensione me Brukselin për shkak të modelit të drejtpërdrejtë amerikan të investimit.
Në këtë arkitekturë të re energjetike, Shqipëria zë një rol të rëndësishëm. Albgaz ka nënshkruar një marrëveshje 20-vjeçare me kompaninë greke Aktor për furnizimin me 1 miliard metra kub gaz amerikan LNG çdo vit nga viti 2030, ndërsa paralelisht është firmosur një memorandum për zhvillimin e një qendre energjetike me një termocentral me gaz natyror rreth 380 MW.
Plani përfshin edhe ndërtimin e një FSRU-je dhe tubacionin Fier-Vlorë, që do ta kthente Shqipërinë në një tjetër portë hyrëse për LNG-në amerikane drejt Ballkanit.
Greqia mbetet nyja kryesore e planeve amerikane falë terminaleve të Revithoussa dhe Alexandroupolis, ndërsa Korridori Vertikal shihet si arterie strategjike për furnizimin e rajonit deri në Ukrainë, Hungari dhe Austri. Në të njëjtën kohë, SHBA po zgjeron ndikimin edhe përmes projekteve të inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave në Kroaci, si dhe konferencave investuese në Kosovë.
Sipas Kathimerini, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi pritet të jenë destinacionet e ardhshme të investimeve amerikane në Ballkan, ndërsa gara për kontrollin e rrugëve të gazit në rajon pritet të ashpërsohet.