Lidhje


Vajzat ikin në Tiranë, çunat e fshatrave mbeten pa nuse

Lëvizjet e brendshme të popullsisë në Shqipëri po dominohen gjithnjë e më shumë nga gratë e reja, veçanërisht ato në moshë studimi dhe pune. Sipas raportit të INSTAT “Gra dhe Burra 2025”, gjatë vitit 2024 ndryshuan vendbanimin brenda vendit 16.289 gra, ndërsa burrat që lëvizën ishin vetëm 9.303. Grupmoshat më aktive rezultojnë ato 20-29 vjeç, ku vetëm në kategorinë 20-24 vjeç u zhvendosën 3.080 gra dhe në grupmoshën 25-29 vjeç plot 3.754 gra. Për burrat, në të njëjtat grupmosha, shifrat mbeten dukshëm më të ulëta, përkatësisht 537 dhe 1.098 persona.

 

Ekspertët e lidhin këtë fenomen me rritjen e pjesëmarrjes së grave në arsimin e lartë dhe kërkimin për mundësi më të mira punësimi. Tirana vazhdon të mbetet qendra kryesore tërheqëse për të rinjtë, sidomos për vajzat dhe gratë që kërkojnë punë në administratë, shërbime, call center, teknologji, arsim dhe shëndetësi. Raporti tregon gjithashtu se, edhe pse lëvizjet e brendshme kanë rënë krahasuar me vitin 2023, diferenca gjinore vazhdon të jetë e theksuar. Një vit më parë kishin ndryshuar vendbanimin 19.805 gra dhe 12.277 burra, çka tregon se gratë mbeten grupi më aktiv në migrimin e brendshëm.

 

Sociologu Gëzim Tusha vlerëson se ky trend po ndryshon gradualisht strukturën sociale dhe ekonomike të vendit. Sipas tij, periferitë dhe zonat rurale po humbasin kryesisht popullsinë e re femërore, ndërsa në këto zona po formohen gjithnjë e më pak familje të reja. Ai thekson se ekonomia shqiptare po përqendrohet në pak qendra urbane, ku gratë kanë më shumë mundësi për arsimim dhe punësim. Kjo situatë pritet të ndikojë edhe në uljen e lindshmërisë dhe në ndryshimin e strukturës familjare në qytetet e vogla dhe fshatra.

XS
SM
MD
LG