Rama shpërthen ndaj PD-së: Lart ngjiten vetëm “budallenjtë”
Në 35-vjetorin e themelimit të gazetës “Koha Jonë” dhe 29 vite pas djegies së redaksisë së saj, botuesi dhe gazetari Nikollë Lesi zhvilloi një intervistë me kryeministrin Edi Rama, i cili në të kaluarën ka qenë edhe bashkëpunëtor i kësaj gazete me shkrimet e tij.
Gjatë bisedës, Lesi e pyeti Ramën për klimën politike në vend dhe veçanërisht për gjendjen e opozitës. Kryeministri u ndal te Partia Demokratike, duke përdorur një gjuhë të ashpër dhe ironike për figurat që, sipas tij, kanë mbetur sot në atë forcë politike.
Rama deklaroi se PD nuk arrin të mbajë brenda saj njerëz me profil intelektual, pasi, sipas tij, “organizmi” i kësaj partie i nxjerr jashtë ata që kanë mendim dhe individualitet. Ai tha se në PD sot ngjiten lart ata që shquhen për atë që ai e quajti “kapacitet budallallëku”.
“Po e di çfarë do të thotë të jesh sot personalitet në PD? Të shquhesh për budallallëkun tënd, të kesh kapacitet budallallëku të atillë që të ngrihesh lart në pozitë. Kështu funksionon”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se, sipas tij, nuk mund të jesh njëkohësisht intelektual dhe pjesë e një politike “molotovësh”. Ai mori si shembull figurat që kanë kaluar ndër vite në PD, duke thënë se personat me një lloj intelektualizmi nuk kanë qëndruar dot gjatë brenda saj.
Rama komentoi me ironi edhe ish-kryetarin demokrat Lulzim Basha, të cilin e cilësoi si “intelektualin e fundit” që kishte mbetur në PD, por që, sipas tij, u përfshi edhe ai nga e njëjta logjikë politike. “Kishte elokuencë, kishte një mendim. Po e kapi budallallëku dhe atë”, tha Rama.
Në pjesën tjetër të intervistës, Lesi ngriti edhe çështjen e censurës dhe autocensurës në media. Rama kundërshtoi idenë se mediat janë të kontrolluara nga qeveria, duke thënë se, në të kundërt, shumica e titujve në media janë kritikë dhe shpesh të orientuar kundër qeverisë.