Alis sonte në “luftë” për finalen e Eurovision - Shqipëria kërkon votën e diasporës me këngën “Nan”
Këngëtari Alis do të ngjitet mbrëmjen e sotme në skenën e “Wiener Stadthalle” në Vjenë, ku Shqipëria do të garojë në gjysmëfinalen e dytë të edicionit të 70-të të “Eurovision Song Contest”.
Përfaqësuesi shqiptar do të interpretojë këngën “Nan”, një krijim me ngarkesë të fortë emocionale, kushtuar figurës së nënës dhe rolit të saj në familjen shqiptare. Pas provës gjenerale të zhvilluar një ditë më parë, Alis synon të sigurojë kualifikimin për natën finale, e cila do të mbahet të shtunën.
Shqipëria do të jetë në garë përballë 14 shteteve të tjera, mes tyre Ukraina, Zvicra, Australia, Norvegjia, Malta, Qiproja, Armenia, Danimarka dhe Luksemburgu. Për shkak të rregullores së Eurovision-it, qytetarët brenda Shqipërisë nuk mund të votojnë për këngën shqiptare, ndaj mbështetja vendimtare pritet nga diaspora dhe publiku jashtë vendit.
Me moton “Të Bashkuar nga Muzika”, këtë vit në Eurovision konkurrojnë 35 vende. Austria rikthehet si mikpritëse pas 11 vitesh, pas fitores së JJ në vitin 2025.