Lidhje


Toka shqiptare në dorë të të huajve pas hyrjes në BE? Drafti i qeverisë hap derën për blerjen e tokës bujqësore

 

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nxjerrë për konsultim një projektligj që parashikon mundësinë që shtetasit dhe kompanitë e huaja të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri, por vetëm pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.

 

Sipas draftit, të huajt mund të fitojnë pronësinë mbi tokë bujqësore private ose mbi tokë bujqësore shtetërore të disponueshme, por me kufizime të qarta: deri në 2 hektarë brenda një bashkie dhe deri në 30 hektarë në të gjithë territorin e Shqipërisë.

 

Blerja do të lejohet vetëm për qëllime investimi në bujqësi dhe nuk do të përfshijë kategori të tjera pasurish të paluajtshme. Për të përfituar këtë të drejtë, personat fizikë apo juridikë të huaj duhet të jenë rezidentë të përhershëm në Shqipëri për të paktën 5 vjet, të kenë ushtruar aktivitet bujqësor ose agrobiznes për të paktën 3 vjet, si dhe të kenë arsim ose përvojë profesionale në fushën e bujqësisë.

 

Projektligji vendos edhe disa ndalime: toka nuk mund t’u kalojë të huajve nëse është objekt kthimi apo kompensimi për ish-pronarët, nëse lidhet me projekte strategjike, apo nëse ndodhet në zona me rëndësi ushtarake ose të sigurisë kombëtare.

XS
SM
MD
LG