ADN-ja rihap debatin për origjinën, eksperti: “Shqiptarët, populli më i vjetër në Ballkan”
Eksperti Ardian Muhaj, i ftuar në Euronews Albania, foli për një studim të fundit mbi ADN-në, i cili sipas tij hedh dritë mbi lashtësinë e popullit shqiptar në Ballkan. Muhaj shpjegoi se studimi ka kaluar një proces të gjatë botimi, me tre versione dhe me një periudhë disa-vjeçare shqyrtimi, kritikash dhe rishikimesh.
Sipas tij, projekti ka nisur rreth pesë deri në gjashtë vite më parë, ndërsa nga dorëzimi për botim deri te publikimi kanë kaluar rreth tre vite. Muhaj tha se fillimisht studimi nuk kishte autorë shqiptarë, por më pas grupi i studiuesve shqiptarë u përfshi vullnetarisht në proces.
Ai theksoi se të dhënat e ADN-së mbështesin atë që është menduar prej kohësh për vijimësinë e shqiptarëve, duke e lidhur debatin edhe me ilirët. Sipas Muhajt, mungesa e shumë elementëve të ruajtur nuk është problem vetëm për ilirët, pasi nuk janë ruajtur as trakishtja, as dakishtja dhe as forma të tjera gjuhësore të popullsive të vjetra ballkanike.
Muhaj shtoi se ky studim hap një dritare të re për rinterpretimin e të dhënave historike, gjuhësore dhe gjenetike, duke i dhënë debatit mbi origjinën e shqiptarëve një bazë më të gjerë shkencore.