Vjen në Shqipëri “Elbit Systems”, kompania izraelite e armëve që u ndëshkua nga NATO
Gjiganti izraelit i prodhimit të armëve, "Elbit Systems", ka zyrtarizuar praninë e tij në Shqipëri duke regjistruar degën e saj pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Ky hap vjen pas raporteve për një kontratë sekrete qindra milionë dollarësh mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë, e cila parashikon furnizimin e forcave tona të armatosura me armatim të rëndë dhe teknologji ajrore.
Kontrata sekrete dhe "Marrëveshja Vengu"
Sipas mediave investigative, gjithçka nisi në korrik të vitit të kaluar, kur ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me Izraelin. Ndonëse fillimisht u prezantua si një marrëveshje rutinë dypalëshe, detajet e publikuara më vonë nga gazeta izraelite Haaretz zbuluan se bëhej fjalë për një biznes multimilionë dollarësh.
"Elbit Systems" pritet të furnizojë Shqipërinë me murtaja dhe dronë, ndërkohë që marrëveshja përfshin edhe hapjen e një shkolle aviacioni në Vlorë. Burime konfidenciale bëjnë me dije se vlera e kësaj kontrate mund të arrijë deri në 400 milionë dollarë.
Skema e financimit dhe ndryshimet në ministri
Për të përballuar faturën e kripur, përflitet se qeveria po shqyrton një skemë me garanci sovrane, e ngjashme me projektin "Smart City". Sipas këtij plani, kompania izraelite siguron financimin bankar, ndërsa shteti shqiptar merr përsipër shlyerjen e kredisë së bashku me interesat.
Lëvizjet e fundit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes kanë ngritur dyshime të forta. Në korridoret e dikasterit flitet se shkarkimi i Pirro Vengut erdhi pikërisht për shkak të hezitimit të tij për të firmosur detajet financiare të kësaj kontrate. Vendin e tij e zuri Ermal Nufi, i cili në rrethet politike njihet me nofkën "Ermal Raketa" për shkak të gatishmërisë së tij për të miratuar me shpejtësi çdo kërkesë që vjen nga kreu i qeverisë.
Hija e skandalit: Pezullimi nga NATO
Ardhja e "Elbit Systems" në Shqipëri shoqërohet me një precedent të rëndë ndërkombëtar. Verën e kaluar, Agjencia e Prokurimit të NATO-s (NSPA) pezulloi kompaninë izraelite dhe rreth 15 kontrata aktive me të, pas akuzave për një skandal të madh korrupsioni.
Sipas dokumenteve të publikuara nga media investigative Follow the Money, kompania akuzohet për ryshfet dhe parregullsi në fitimin e kontratave. Ky pezullim e ndalon "Elbit" të konkurrojë për tendera të rinj brenda Aleancës, ndërkohë që proceset ligjore vijojnë. Pavarësisht këtyre akuzave serioze për korrupsion që tronditën NATO-n, qeveria shqiptare duket e vendosur të vijojë bashkëpunimin miliarder me kompaninë izraelite./joq