Shqipëria nis epokën Maran: italiani merr Kombëtaren me objektiv Euro 2028 dhe Botërorin 2030
Rolando Maran është prezantuar zyrtarisht si trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, duke marrë drejtimin e kuqezinjve pas largimit të Sylvinhos. Prezantimi u bë nga presidenti i FSHF-së, Armando Duka, në një konferencë për shtyp ku ishte i pranishëm edhe ish-tekniku brazilian, i cili u falënderua për punën e tij me Shqipërinë.
Trajneri 62-vjeçar italian vjen në krye të Kombëtares pas rreth një viti pa angazhim në pankinë. FSHF i ka besuar atij projektin e ri kuqezi, me synimin për të ruajtur stabilitetin e krijuar vitet e fundit dhe për ta çuar Shqipërinë drejt objektivave të mëdha ndërkombëtare.
Presidenti Duka deklaroi se objektivat kryesorë janë vendi i parë në Nations League dhe kualifikimi në Euro 2028, ndërsa më pas synohet edhe rrugëtimi drejt Botërorit 2030.
Maran ka një karrierë të gjatë në futbollin italian, si lojtar dhe trajner. Ai ka luajtur kryesisht si mbrojtës te Chievo Verona, ndërsa pas tërheqjes nga futbolli aktiv në vitin 1997 nisi menjëherë karrierën në pankinë.
Si trajner, Maran ka drejtuar disa klube në Serie B dhe Serie A, përfshirë Brescia, Cittadella, Bari, Triestina, Vicenza, Catania, Chievo, Cagliari, Genoa dhe Pisa. Momenti më i spikatur i karrierës së tij ishte te Catania, ku arriti një renditje historike në vendin e 8-të në Serie A.
Ai njihet si trajner i organizuar taktikisht, me kujdes të veçantë në fazën mbrojtëse dhe në ekuilibrin e skuadrës. Sfida e tij e parë e madhe do të jetë përshtatja me futbollin ndërkombëtar dhe ndërtimi i një Shqipërie konkurruese për objektivat e vendosura nga FSHF.