Maarif Albania triumfon në Tetovë: ekipi i futsalit shpallet kampion në Lojërat Olimpike Maarif
Ekipi i futsalit i Maarif Albania është shpallur kampion në “Shkollat e 3-ta Maarif European and Balkan Sports – Lojërat Olimpike”, të zhvilluara në Tetovë.
Nxënësit e International Maarif Schools of Albania arritën të sigurojnë trofeun pas një paraqitjeje të fortë sportive, duke treguar jo vetëm cilësi në fushë, por edhe disiplinë, bashkëpunim dhe frymë të lartë gare.
Institucioni Maarif e cilësoi këtë sukses si një moment krenarie për shkollën, duke theksuar se triumfi i ekipit të futsalit është rezultat i vendosmërisë, përkushtimit dhe frymës së vëllazërisë mes nxënësve.
Në njoftimin e shkollës, theksohet se ky trofe reflekton vizionin e Maarif për të mbështetur nxënësit jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në sport dhe aktivitete të tjera formuese.
International Maarif Schools of Albania uroi sportistët, mësuesit dhe të gjithë mbështetësit e ekipit për këtë arritje, duke nënvizuar se do të vijojë të përkrahë nxënësit në çdo fushë ku ata tregojnë talent, disiplinë dhe potencial.