BE mban pezull Shqipërinë: tre vende bllokojnë “dritën jeshile” për IBAR-in
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë arritur ende konsensus për miratimin e Raportit të Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve, i njohur si IBAR, për Shqipërinë. Në mbledhjen e sotme të grupit të punës COELA në Bruksel, tre shtete anëtare nuk kanë dhënë ende “dritën jeshile” për draftin e Pozicionit të Përbashkët të BE-së, duke shtyrë vendimin për një tjetër raund diskutimesh.
IBAR-i është dokument kyç për Grupkapitullin 1, të quajtur “Themeloret”, ku përfshihen prokurimi publik, statistikat, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria, si dhe kontrolli financiar. Pa miratimin e tij, Shqipëria nuk mund të kalojë në fazën e mbylljes së kapitujve të parë në negociatat e anëtarësimit, pavarësisht se i ka hapur tashmë të gjithë kapitujt negociues.
Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, drafti i ri i paraqitur nga Presidenca qipriote e BE-së është më i ashpër se varianti fillestar i Komisionit Evropian. Ai përfshin më shumë kushte për luftën kundër korrupsionit, kriteret ekonomike, trajtimin e pakicave kombëtare dhe sidomos garanci për mos pengimin e punës së SPAK-ut dhe organeve të tjera të drejtësisë.
Diskutimet vijnë në një moment të ndjeshëm politik për Shqipërinë, kur opozita akuzon qeverinë Rama për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar, abuzim me fondet publike dhe manipulim zgjedhor. Një nga çështjet më të nxehta mbetet dosja e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres Belinda Balluku, e cila është nën akuzë nga SPAK për shkelje të dyshuara në tendera, ndërsa opozita akuzon Ramën se po e mbron politikisht duke mos lejuar heqjen e imunitetit parlamentar për arrestimin e saj.
Pavarësisht pretendimeve se dosja mund të kalonte menjëherë te ambasadorët e vendeve anëtare në COREPER, kjo nuk ka ndodhur ende. Burime nga Brukseli konfirmojnë se COELA nuk ka arritur marrëveshje në këtë fazë dhe se vetëm pas konsensusit në nivel ekspertësh, dosja mund t’i kalojë COREPER-it për miratim politik.
Një përpjekje e re për kompromis pritet të zhvillohet të enjten, ndërsa nëse arrihet dakordësia, mbledhja më e afërt e ambasadorëve është të premten, më 22 maj. Vetëm pas kësaj mund të hapet rruga për planifikimin e Konferencës Ndërqeveritare, që do të shënonte nisjen e fazës së mbylljes së kapitujve për Shqipërinë.
Në thelb, procesi nuk është rrëzuar, por as nuk është zhbllokuar. Shqipëria është pranë një hapi të rëndësishëm në negociatat me BE-në, por tre vende skeptike dhe kushtet e shtuara për drejtësinë, korrupsionin, ekonominë dhe pakicat po e mbajnë ende pezull vendimin final.