Njeriu i Trump për ambasador në Tiranë: Porto Romano mund të shfrytëzohet për NATO-n
Kandidati i presidentit amerikan Donald Trump për ambasador në Shqipëri, Eric Wendt, ka deklaruar para Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan se Porto Romano është një infrastrukturë me rëndësi strategjike për synimet e NATO-s.
Gjatë seancës së konfirmimit, Wendt u shpreh se Shqipëria ka përmbushur objektivin prej 2% të shpenzimeve të mbrojtjes dhe ka marrë angazhime për rritje deri në 5%, duke theksuar se ekzistojnë mundësi për përdorimin më të gjerë të infrastrukturës portuale në funksion të Aleancës.
“Kam besim se do të ketë mënyra të ndryshme që do të gjejmë për të tejkaluar detyrat ushtarake dhe për të përmbushur synimet e NATO-s, përfshirë edhe përdorimin e Porto Romanos, një nga portet kryesore që në të ardhmen mund të shfrytëzohet. Dërgimi i pajisjeve ushtarake do të kishte përfitime, ndërsa përmirësimi i infrastrukturës është gjithashtu i rëndësishëm”, deklaroi Wendt.
Ai shtoi se, nëse konfirmohet në detyrë, do të jetë i fokusuar edhe në mbështetjen e bizneseve amerikane që operojnë në Shqipëri, pa dallime apo preferenca, duke theksuar se roli i tij do të jetë lehtësimi i aktivitetit të tyre ekonomik.
“Nuk kam informacion të plotë për investimet në Shqipëri, por detyra ime si ambasador është të mbështes bizneset amerikane, të gjitha pa preferenca. Gjithashtu do të sigurohem që kjo të bëhet në mënyrën e duhur, veçanërisht në aspektin e korrupsionit. SPAK ka qenë shumë efektiv. Kur të jem në terren, do të kuptojmë më mirë situatën”, u shpreh ai./lapsi