Përplasja për shqipen në Shkup, Maqedonia thërret Ambasadën shqiptare për Meidanin
Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka thirrur përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë në Shkup pas deklaratave publike të ambasadorit Denion Meidani në mbështetje të studentëve shqiptarë, të cilët protestuan për të drejtën e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Sipas raportimeve, në takim është paraqitur zëvendësambasadori i Shqipërisë, të cilit i është dorëzuar një demarsh verbal. Autoritetet maqedonase i kanë cilësuar deklaratat e Meidanit si të papërshtatshme dhe pranë kufirit mes komunikimit diplomatik dhe ndërhyrjes në punët e brendshme.
Nga ana tjetër, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka mohuar raportimet për largimin apo shkarkimin e Meidanit nga detyra. MEPJ i cilësoi këto raportime si hamendësime të pabazuara në fakte, duke theksuar se çdo lëvizje diplomatike bëhet sipas procedurave ligjore dhe institucionale.
Në reagimin e sotëm, Ministria e Jashtme shqiptare hodhi poshtë edhe akuzat për indiferencë ndaj studentëve shqiptarë në Shkup. MEPJ deklaroi se ambasada ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me studentët, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë është takuar personalisht me ta për të dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre.
Çështja u hap pas mbështetjes publike të Meidanit për studentët shqiptarë, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Deri tani, nuk ka një vendim zyrtar për largimin e ambasadorit shqiptar nga Shkupi.