Lidhje


Tragjedia në Mengël/ Petri Bozo para policisë pasi përplasi për vdekje 7-vjeçarin: “Isha në rrugë nacionale, kisha përparësi”

 

Një aksident tragjik ka tronditur mëngjesin e kësaj të hëne fshatin Mengël në Elbasan, ku një fëmijë vetëm 7 vjeç humbi jetën pasi u përplas nga një automjet që dyshohet se drejtohej nga regjisori dhe producenti Petri Bozo.

 

Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin nacional Elbasan-Librazhd, pranë shkollës së fëmijës. I mituri po shkonte në mësim i shoqëruar nga nëna e tij, kur sipas të dhënave paraprake, në momentin që po kalonin rrugën, dyshohet se i është shkëputur nga dora dhe është përplasur nga makina që drejtohej nga 61-vjeçari.

 

Përplasja ka rezultuar fatale për 7-vjeçarin, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.

 

Një dëshmitar në vendngjarje tregoi se pas aksidentit një i ri nxori me kujdes fëmijën nga poshtë automjetit. Sipas tij, shoferi është shprehur se ndodhej në rrugë nacionale dhe kishte përparësi.

 

Banorët e zonës thonë se segmenti ku ndodhi aksidenti është tepër i rrezikshëm, pasi automjetet lëvizin shpesh me shpejtësi të lartë, ndërkohë që pranë rrugës ndodhet edhe shkolla ku mësonte i mituri.

XS
SM
MD
LG