Kushtetuesja i jep pikë Veliajt: dosja e arrestit kthehet në Gjykatën e Lartë
Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Erion Veliajt dhe ka vendosur ta rikthejë në Gjykatën e Lartë çështjen e masës së sigurisë “arrest me burg”. Kushtetuesja nuk e rrëzoi masën e arrestit, por kërkoi që Gjykata e Lartë të japë një arsyetim më të plotë për proporcionalitetin e burgimit të Veliajt, duke marrë parasysh statusin e tij si kryebashkiak i zgjedhur.
Gjykata pranoi dy pretendime kryesore të Veliajt: mungesën e arsyetimit për ndikimin e arrestit në të drejtat e tij kushtetuese si person i zgjedhur dhe mungesën e arsyetimit për mbajtjen e tij në kabinë xhami gjatë seancave, çështje që sipas Veliajt lidhet me dinjitetin dhe prezumimin e pafajësisë. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, kujtoi se edhe GJEDNJ ka konstatuar në disa raste cenime për shkak të vendosjes së të pandehurve në kabina xhami.
Megjithatë, Kushtetuesja rrëzoi pretendimet e tjera të Veliajt, përfshirë ato për cenimin e së drejtës së mbrojtjes dhe mungesën e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova. Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025, i arrestuar nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, në një dosje ku përfshihet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Sipas SPAK, çifti dyshohet se ka përfituar rreth 1 milion euro përmes një skeme korruptive, akuza që Veliaj i mohon.