Alarm për bombë pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë
Një alarm për praninë e një lënde të dyshuar shpërthyese pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mobilizuar paraditen e kësaj të shtune forcat e policisë.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët kanë rrethuar perimetrin dhe kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në segmentin ku është sinjalizuar objekti i dyshimtë.
Në terren ndodhen edhe specialistët e forcave xheniere dhe ekspertët e antieksplozivit, të cilët po kryejnë verifikimet përkatëse për të përcaktuar natyrën e objektit dhe nivelin e rrezikut. Gjithashtu në vendin e ngjarjes po bëhet edhe kontrolli me qentë e gardës antieksploziv.
Po ashtu zona është izoluar për arsye sigurie dhe qytetarëve u është kërkuar të shmangin lëvizjet pranë vendit ku po zhvillohen veprimet nga forcat e rendit.