Pas dhunës në Zvërnec, kompania lan duart: shkarkon “Major Security” dhe premton hetim për rojet që tërhoqën zvarrë protestuesin
Pas përplasjeve të dhunshme të regjistruara gjatë protestës në Zvërnec, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka reaguar publikisht duke u distancuar nga veprimet e rojeve private të “Major Security”, të cilët u filmuan teksa dhunonin qytetarë.
Në deklaratën për mediat, kompania thotë se ka shqyrtuar materialet e publikuara dhe e cilëson sjelljen e shoqërisë së sigurisë si të pajustifikueshme dhe të papranueshme. Sipas saj, “Major Security” ishte kontraktuar vetëm për garantimin e sigurisë në zonën zhvillimore, të cilën kompania e konsideron pronë private, dhe nuk kishte asnjë udhëzim për të vepruar në kundërshtim me ligjin apo për të cenuar të drejtat e qytetarëve.
Kompania pranon se ndërhyrja ndaj një qytetari që ndodhej jashtë kufirit të pronës dhe tërheqja e tij me forcë brenda zonës së ruajtur është “jo vetëm e papranueshme moralisht, por edhe e dënueshme penalisht”. Për këtë arsye, “Zvërnec South Adriatic Development” njofton se ka ndërprerë menjëherë marrëdhënien kontraktuale me kompaninë “Major Security”.
Në të njëjtën kohë, kompania kërkon ndjesë për incidentin dhe u bën thirrje organeve ligjzbatuese të kryejnë një hetim të plotë dhe të paanshëm për ngjarjen, duke ndëshkuar personat përgjegjës. Ajo deklaron se do të jetë në dispozicion të autoriteteve dhe palëve të interesuara.
Reagimi vjen pas kritikave të shumta publike për dhunën ndaj protestuesve, ndërsa kompania përpiqet të ruajë narrativën se projekti turistik në Zvërnec do të jetë i harmonizuar me natyrën dhe standardet më të larta mjedisore. Ajo hedh poshtë pamjet që i quan “të fabrikuara” për projektin dhe thotë se versioni final do t’i prezantohet publikut në kohën e duhur.
Deklarata e plotë:
Pasi kemi shqyrtuar me përgjegjësi të plotë materialet e bëra publike mbi sjelljen e pajustifikueshme të shoqërisë së sigurisë, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” njofton shtypin dhe opinionin publik si më poshtë:
Për të garantuar sigurinë e zonës zhvillimore, që është tërësisht pronë private, ishte kontraktuar një kompani sigurie e pajisur me lejet dhe licencat përkatëse nga institucionet shtetërore dhe me përvojë në këtë fushë.
Por ekzaminimi i materialeve e bën absolutisht të papranueshme vazhdimin e marrëdhënies kontraktuale me këtë shoqëri. Në asnjë moment, kompania e kontraktuar e sigurisë nuk ka pasur instruksione nga ana jonë për të vepruar në kundërshtim me autorizimet ligjore dhe në cenim të të drejtave të garantuara për qytetarët shqiptarë.
Ndërhyrja ndaj një qytetari që ishte në të drejtën e tij të plotë për të protestuar jashtë kufirit të pronës, dhe tërheqja e tij brenda saj për të ushtruar forcë, nuk është vetëm e papranueshme moralisht, por edhe e dënueshme penalisht. Për këtë arsye kemi ndërprerë me efekt të menjëhershëm marrëdhënien kontraktuale me shoqërinë e sigurisë.
Kërkojmë ndjesë për këtë incident të panevojshëm dhe u bëjmë thirrje organeve kompetente të kryejnë një hetim të plotë e të paanshëm të ngjarjes dhe të ndëshkojnë sipas ligjit personat përgjegjës. “Zvërnec South Adriatic Development” qëndron në dispozicion të plotë ndaj autoriteteve dhe të gjitha palëve të tjera të interesuara, me gatishmëri dhe transparencë të plotë.
Ritheksojmë se marrëdhënia me komunitetin është thelbësore për investitorët dhe mbetemi të angazhuar të bashkëpunojmë me të gjithë banorët e zonës. Në javët në vijim do të shtojmë përpjekjet tona për një komunikim më thelbësor me komunitetin e respektuar të zonës.
Po ashtu shprehim keqardhjen që episodi i shëmtuar i djeshëm po shfrytëzohet për të qarkulluar në rrjetet sociale pamje tërësisht të fabrikuara të projektit, me qëllim nxitjen e idesë së gabuar se zhvillimi do të shkatërrojë natyrën.
Vlera ndërkombëtare e projektit qëndron pikërisht në përkushtimin maksimal për të harmonizuar projektin me natyrën, sipas standardeve më të larta të aplikuara ndonjëherë, në mbrojtje të ekosistemeve të veçanta të zonës, si vlerë e padiskutueshme e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë.
Projekti final do t’i prezantohet në kohën e duhur publikut si dëshmi përtej çdo dyshimi e një shembulli të shkëlqyer të harmonisë me natyrën.