Lidhje


Kush janë dhunuesit e shqiptarëve në Zvërnec? - Ish-roja i Noizyt dhe ish-polici i Veliajt në pranga

 

Protesta e së shtunës në Zvërnec kundër projektit turistik të kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development” është shoqëruar me tensione dhe dhunë, ndërsa në qendër të denoncimeve publike kanë dalë punonjës të sigurisë private të kompanisë “Major Security”.

 

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë përplasje mes protestuesve dhe personave të veshur civilë, të cilët sipas qytetarëve kanë shtyrë, goditur dhe tërhequr zvarrë protestuesit pranë zonës së rrethuar.

 

Mes personave të identifikuar në pamje është Gerald Biba, i njohur si ish-truproja i reperit Noizy. Sipas denoncimeve të banorëve, ai dyshohet se është përfshirë në incidentet e dhunshme dhe se ka goditur protestues gjatë përplasjes. Policia ka njoftuar se Biba është arrestuar në flagrancë, i dyshuar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

 

Në të njëjtën ngjarje është proceduar penalisht edhe Gazment Vathi, ish-punonjës i Policisë Bashkiake të Tiranës, i njohur nga një episod i vitit 2018 me një shitës ambulant kokoshkash, që në atë kohë shkaktoi reagime të forta publike.

 

Tetë vite më vonë, emri i tij rikthehet në vëmendje, pasi sipas pamjeve dhe dëshmive nga terreni, ai shfaqet mes punonjësve të sigurisë private të përfshirë në përplasjet me protestuesit në Zvërnec.

 

Sipas njoftimit të Policisë, Gerald Biba dyshohet se ka goditur me grusht një qytetar me inicialet E. S. dhe më pas, në bashkëpunim me dy persona të tjerë të proceduar penalisht, A. G. dhe G. V., e kanë tërhequr me forcë drejt vendit të rezervuar për rojet, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

 

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta për mënyrën se si u menaxhua protesta në terren. Protestuesit pretendojnë se dhuna ndodhi në prani të efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët kishin ngritur kordon sigurie, por sipas tyre nuk ndërhynë menjëherë për të ndalur përplasjet.

 

Kjo ka shtuar akuzat se në Zvërnec qytetarët u lanë përballë rojeve private, ndërsa shteti u shfaq më shumë si mburojë e kantierit sesa si garant i rendit publik.

 

Protesta në Zvërnec lidhet me kundërshtimin e banorëve dhe aktivistëve ndaj rrethimit të zonës ku parashikohet ndërtimi i një resorti gjigant turistik, projekt i lidhur publikisht me investimin e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump.

 

Banorët pretendojnë se po u bllokohet aksesi në tokat dhe plazhin që i konsiderojnë të tyre, ndërsa kompania këmbëngul se vepron mbi pronë private dhe në përputhje me ligjin.

XS
SM
MD
LG