Nikita Maksimoviç Vinogradov, pronari rus pas resortit 4 miliardë euro në Zvërnec
Një dokument historik i Regjistrit të Pronarit Përfitues për kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila lidhet me projektin e madh turistik në zonën e Zvërnecit, nxjerr në dritë një të dhënë të fortë: në ekstraktin e datës 13 gusht 2024, si pronar përfitues indirekt me 50% figuron Nikita Maximovich Vinogradov, me shtetësi ruse.
Sipas dokumentit, kontrolli ushtrohej përmes kompanive Universal Properties Projects B.V. dhe Interroyal B.V., pjesë e një zinxhiri shoqërish të regjistruara jashtë Shqipërisë. Kjo ngre pikëpyetje të reja për transparencën e projektit në një nga zonat më të ndjeshme bregdetare të vendit, ku banorët dhe aktivistët kanë protestuar kundër rrethimit dhe ndërhyrjeve në terren.

Në të dhënat më të fundit, Vinogradov rezulton i regjistruar si shtetas holandez, ndërsa bashkë me të del edhe shtetasja bullgare Zoya Georgieva Gyurova, secili me nga 50% pronësi përfituese. Por fakti që në dokumentin historik ai shfaqet si shtetas rus i jep çështjes së Zvërnecit një dimension edhe më të fortë politik, ekonomik dhe publik.