Lidhje


Kryegylenisti Klodian Allajbeu i lidhur me aferën e Zvërnecit!

 

Investigimi i shkurtit 2025 i Boldnews.al nuk duket më si një histori e vjetër regjistrash, por si çelësi për të kuptuar se kush qëndron pas gardhit në Portonovo. Në atë shkrim thuhej se pas kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development” që përfitoi lejen për resortin në Pishë Poro–Nartë qëndronin Nikita Maximovich Vinogradov dhe Zoya Georgieva Gyurova, të dy të lidhur në struktura biznesi me Klodian Allajbeun, pronarin e Spitalit Amerikan.

 

Kjo linjë vijon të qëndrojë në thelb: në të dhënat aktuale të OpenCorporates Albania, Vinogradov figuron me 50% pronësi përfituese, ndërsa Gyurova me 50%, përmes zinxhirit Universal Properties Projects B.V. → Blue Industries Investment Holding B.V. → Dutch Trust Management B.V.

 

Pjesa më e fortë është ndryshimi i “pasaportës” në dokumente, jo zhdukja e gjurmës. Në ekstraktin historik të vitit 2024, Vinogradov shfaqej si shtetas rus, me 50% pronësi përfituese në “Zvërnec South Adriatic Development”; në ekstraktin e vitit 2026, ai del si shtetas holandez, por ruan të njëjtën peshë kontrolli prej 50%.

 

Pra, pyetja nuk është më vetëm “a ka rus pas Zvërnecit?”, por pse një projekt kaq i madh në një zonë të mbrojtur kalon përmes një strukture holandeze ku emri i një ish-shtetasi të deklaruar rus vijon të mbetet qendror.

 

Këtu hyn Allajbeu. Investigimi i shkurtit e lidhte Vinogradov-Gyurova me rrjete biznesi që prekin Spitalin Amerikan, ABC News, Hemodializën dhe struktura të tjera ekonomike të lidhura me grupin e Allajbeut.

 

Në dokumentet e Regjistrit të Pronarit Përfitues për American Hospital, janë shtuar emrat Nikita Vinogradov dhe Zoya Gyurova, çka tregon se dy emrat që sot shfaqen në dosjen e Zvërnecit nuk janë kalimtarë të rastësishëm, por pjesë e një arkitekture më të gjerë kontrolli dhe përfaqësimi në sektorë sensitivë të ekonomisë shqiptare.

 

Ngjarja e djeshme në Portonovo e nxori këtë dosje nga letra e regjistrave dhe e hodhi në terren, aty ku banorët dhe aktivistët u përballën me roje private, gardh dhe dhunë.

 

Projekti që kompania e reklamon si investim mbi 4 miliardë euro dhe me 10 mijë vende pune u shfaq para publikut jo me transparencë, jo me projekt final, jo me studime të plota, por me tension në zonën e rrethuar. Vetë kompania ka deklaruar se trualli është “pronësi private metër për metër” dhe se investimi do të kthejë Vlorën në destinacion turistik mesdhetar, por kjo nuk mjafton për të shuar pyetjen kryesore: kush janë realisht interesat që po marrin kontrollin e territorit?

 

BIRN ka raportuar se “Zvërnec South Adriatic Development” mori dy leje zhvillimi për resort turistik në Zvërnec në janar dhe prill 2025 nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ndërsa lejet nuk ishin publikuar zyrtarisht në momentin e raportimit.

 

Po sipas BIRN, pas lejeve zhvillimore, kompania mori më 29 prill 2026 edhe miratim për rrethim dhe punime përgatitore për rrugë aksesi, por AZHT i kishte bërë me dije se ky akt ishte ende në pritje të firmave të institucioneve përgjegjëse.

 

Prandaj dhuna e Portonovos nuk është një incident anësor. Ajo e kthen dosjen e Zvërnecit në një çështje politike, ekonomike dhe kombëtare: një zonë e mbrojtur, një projekt luksi, një kompani me zinxhir holandez, një rus-holandez, një bullgare dhe gjurmët e përsëritura të Allajbeut në sfond. Nëse qeveria dhe kompania duan të bindin publikun se gjithçka është e pastër, nuk mjafton më fjalia “është pronë private”.

 

Duhet transparencë e plotë për pronarët realë, për lejet, për lidhjet e biznesit, për rolin e Allajbeut dhe për arsyen pse një projekt që premton parajsë turistike nisi me gardh, roje dhe qytetarë të dhunuar.

XS
SM
MD
LG