Lamallari "sqaron" skandalin në Zvërnec: prona qenka private, dhuna qenka gabim teknik
Pas pamjeve ku rojet private dhunuan dhe tërhoqën zvarrë një protestues në Zvërnec, ndërsa policia ishte e pranishme pa ndërhyrë, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka dalë në mbrojtje të versionit zyrtar. Ai përsëriti se projekti zhvillohet mbi pronë private dhe se qeveria “nuk ka falur tokë”, duke e zhvendosur debatin fillimisht te çështja e pronësisë.
Megjithatë, Lamallari pranoi se pronësia private nuk u jep rojeve të drejtë të përdorin forcë ndaj qytetarëve. Ai kërkoi ndjekje penale për personat e përfshirë dhe hetim administrativ për kompaninë e sigurisë, duke e cilësuar të papranueshme ndërhyrjen ndaj protestuesit.
Ministri përshëndeti edhe pezullimin e drejtuesve vendorë të Policisë së Vlorës dhe hetimin e zinxhirit të komandimit, duke pranuar se problem nuk ishte vetëm dhuna e rojeve private, por edhe pasiviteti i policisë në terren. Reagimi vjen në një moment delikat për qeverinë, pasi projekti në Zvërnec lidhet me emra ndërkombëtarë dhe rrezikon ta kthejë dhunën ndaj protestuesve në skandal përtej Shqipërisë.