Argumentat/ Rama merr në mbrojtje Zvërnecin: “4 miliardë euro nga Katari, jo shitje toke” — por SPAK hap hetimet për aferën
Kryeministri Edi Rama ka dalë sot publikisht për të mbrojtur projektin turistik në Zvërnec, pas protestës së dhunshme ku rojet private të kompanisë së sigurisë goditën dhe tërhoqën zvarrë një protestues, ndërsa policia e pranishme në terren nuk ndërhyri për ta ndalur situatën.
Në fjalën e tij, Rama e paraqiti debatin si një furtunë dezinformimi, duke thënë se opinioni publik është ushqyer me pretendime të pavërteta për shitje toke, cenim të zonës së mbrojtur, investitorë të dyshimtë dhe grabitje të territorit.
Argumenti kryesor i kryeministrit ishte se toka ku parashikohet projekti nuk është shtetërore, por private. Sipas Ramës, qeveria “nuk ka falur tokë”, pasi në Zvërnec nuk ka tokë publike për t’u falur, përveç disa sipërfaqeve të papërfillshme.
Ai tha se ndryshe nga Sazani, ku shteti shqiptar është palë sepse toka është publike, në Zvërnec investitorët janë orientuar që në fillim të negociojnë me pronarët privatë.
Rama këmbënguli gjithashtu se projekti nuk përfaqëson interesa “izraelite” apo “ruse”, por një investim të madh nga Katari, i promovuar publikisht edhe nga Jared Kushner. Sipas tij, bëhet fjalë për një projekt me vlerë rreth 4 miliardë euro, që synon ta vendosë Shqipërinë në hartën e turizmit elitar ndërkombëtar. Kryeministri e cilësoi investimin si pjesë të kalimit të vendit nga turizmi masiv dhe i lirë drejt një modeli me shpenzime të larta dhe klientelë elitare.
Një tjetër pikë ku Rama u ndal ishte statusi mjedisor i zonës. Ai tha se Pishë-Poro–Narta mbetet zonë e mbrojtur e kategorisë V, por kjo kategori, sipas tij, nuk e ndalon automatikisht zhvillimin turistik. Kryeministri theksoi se projekti nuk prek lagunën dhe se marina, e parashikuar në versione të mëparshme, është hequr pas kërkesave të institucioneve. Ai shtoi se ende nuk ka një projekt arkitektonik përfundimtar dhe as një leje ndërtimi të miratuar për objektet.
Për rrethimin e zonës, Rama pranoi se telat me gjemba ishin një pamje “e shëmtuar” dhe “skandaloze”, por tha se vetë rrethimi është bërë mbi bazën e lejes së zhvillimit. Ai paralajmëroi se kompania do të gjobitet për gardhin me tela me gjemba, ndërsa dënoi ashpër rojet private që dhunuan protestuesin. Sipas tij, policia duhet të kishte ndërhyrë menjëherë dhe t’i kishte arrestuar në vend personat përgjegjës.
Megjithatë, kryeministri u përpoq ta ndajë incidentin e dhunës nga vetë projekti. Sipas Ramës, dhuna e rojeve private dhe pasiviteti i Policisë së Vlorës janë të papranueshme, por nuk provojnë se projekti është i paligjshëm apo se shteti ka kryer grabitje. Ai përshëndeti masat ndaj drejtuesve vendorë të policisë dhe e paraqiti reagimin e institucioneve si provë të “tolerancës zero” ndaj shkeljeve.
Por pavarësisht shpjegimeve të Ramës, çështja e Zvërnecit mbetet larg mbylljes. Përballë versionit zyrtar që flet për pronë private, investim strategjik dhe turizëm elitar, qëndrojnë protestat e banorëve, shqetësimet për zonën e mbrojtur, akuzat për mungesë transparence, dhuna e regjistruar në terren dhe hetimet e nisura nga SPAK për mënyrën e përfitimit të tokave dhe procedurat e projektit. Në këtë sfond, pyetja kryesore mbetet e hapur: a po ndërtohet në Zvërnec një projekt historik për turizmin shqiptar, apo po legalizohet me gjuhën e zhvillimit një nga aferat më të mëdha të bregdetit?