Lidhje


"Vetëm myslimanë nuk janë, helmojnë njerëzit me shpifje!" - Rama fut Islamin në debatin për Zvërnecin

 

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij për projektin e Zvërnecit, ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj atyre që, sipas tij, po ushqejnë opinionin publik me shpifje dhe akuza për shitje të tokës, cenim të zonës së mbrojtur dhe interesa të huaja pas projektit turistik.

 

Në një nga pjesët më të forta të fjalimit, Rama iu referua edhe fesë islame, duke akuzuar kundërshtarët se përdorin moralin publik, por sipas tij shkelin parimet që pretendojnë se mbrojnë. “Vetëm mysliman nuk janë, vetëm Allah dhe Kuran nuk kanë, sepse bëjnë çdo ditë krimin e ndaluar nga Kurani, për të helmuar njerëzit me shpifje”, u shpreh Rama.

 

Kryeministri e lidhi këtë deklaratë me akuzat që kanë qarkulluar ditët e fundit, duke thënë se qytetarët po futen në një “kurth” përmes dezinformimit. Ai pyeti se si mund të jenë mediat greke “aleate” të shqiptarëve në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë, duke iu referuar raportimeve në Greqi pas plagosjes së një shtetasi grek gjatë protestës në Zvërnec.

 

Rama tha se e kupton zemërimin e qytetarëve pas pamjeve të dhunës nga rojet private, por këmbënguli se kjo ngjarje nuk duhet të përdoret për të rrëzuar një projekt që ai e cilëson strategjik për turizmin shqiptar. Sipas tij, projekti nuk është shitje e tokës shtetërore dhe nuk ka lidhje me “të pavërtetat e mëdha” që janë hedhur në qarkullim.

 

Deklarata për “myslimanët” pritet të shkaktojë debat politik dhe publik, pasi Rama e përdori fenë si referencë morale në një përplasje që lidhet me pronën, mjedisin, investimet e huaja dhe dhunën ndaj protestuesve në Zvërnec.

XS
SM
MD
LG