Lidhje


Nuk ka “paqe” për Aeroportin e Vlorës, gjermanët braktisin menaxhimin

Sipas informacioneve të publikuara në media, bordi drejtues i kompanisë ka miratuar nisjen e procedurave të likuidimit dhe çregjistrimit të degës së saj shqiptare. Në vendimin zyrtar theksohet se ndërprerja e aktivitetit në Shqipëri konsiderohet si zgjidhja më e përshtatshme për interesat e kompanisë dhe se procesi do të kryhet në përputhje me legjislacionin shqiptar.

 

Munich Airport International kishte hyrë në tregun shqiptar në mars të vitit 2025 me një objektiv të vetëm: menaxhimin e Aeroportit të Vlorës. Sipas kontratës koncesionare, kompania ndërtuese Vlora International Airport (VIA) është e detyruar që operimin 35-vjeçar të aeroportit t'ia besojë një operatori me përvojë ndërkombëtare, pasi aksionerët aktualë të projektit nuk kanë eksperiencë në administrimin e aeroporteve.

 

Për të përmbushur këtë kusht, VIA kishte paraqitur një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë e Aeroportit të Mynihut. Madje, biznesmeni Behgjet Pacolli kishte deklaruar publikisht se aeroporti i Vlorës do të operohej nga grupi gjerman.

 

Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar pas përplasjes mes aksionerëve kryesorë të projektit, Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit. Burime të ndryshme sugjerojnë se konflikti mes palëve ka ndikuar në vendimin e kompanisë gjermane për t'u tërhequr, duke i lënë partnerët në mes të mosmarrëveshjeve të tyre.

 

Largimi i Munich Airport International krijon një tjetër pikëpyetje të madhe mbi të ardhmen e Aeroportit të Vlorës. Përveç vonesave në ndërtim, i cili ende nuk ka një afat të qartë për përfundimin, tashmë shtrohet edhe pyetja se kush do të marrë përsipër operimin dhe menaxhimin e aeroportit, në rast se projekti arrin të përfundojë./joq

XS
SM
MD
LG